Përqeshja me arsimin
Këto ditë janë lajmëruar disa masa shtrënguese në arsim. Kështu, "në bazë të Kodit të Punës, mësuesit duhet të realizojnë plot 8 orë mësim në ditë, për të ofruar kurse falas për nxënësit për lëndën që japin çdo ditë." Me sa duket, është menduar që kohën dhe vendin e përgatitjes profesionale të mësuesve, të mos e përcaktojnë më ata vetë, por ekspertët dhe zyrtarët e ministrisë përkatëse.
Të tilla masa apo më mirë "shpikje", ka prej kohësh në arsim. Kjo ndodh sidomos kur ndërrohen drejtuesit. "Tetë orë punë dhe jo tetë orë në punë", ka qenë një nga sloganet e fundit në agjitacionin komunist të viteve '80, tamam në prag të ikjes së atij pushteti shtypës dhe abuziv. Më qesharake nuk ka se ku shkon.
Ani! Po e zgjerojmë paksa temën. Tranzicioni i zgjatur, gjatë të cilit ndodhën dhe po ndodhin transformime por edhe tronditje, ka goditur para së gjithash pikërisht arsimin, mësuesit dhe fëmijët. S'mund të bëjmë përgjithësime e të mohojmë arritjet, si pasurimi i programeve shkollore, zhvillimi i arsimit privat, matura shtetërore, etj. Por ndërkohë vërejmë se rendja pas rastësive dhe falsitetit, ka qenë dhe mbetet një modë e përhershme në fushën e arsimit.
Në ditët e para, pasi ishte emëruar ministër i Arsimit, Genc Pollo, kërkoi midis të tjerave që në shkollë çdo ditë të ngrihej flamuri kombëtar dhe të këndohej himni. Koha tregoi se ato kërkesa ishin të pambështetura, njëlloj retorike.
Pyesim sot, pas kaq vitesh që është hedhur kjo shashkë: Ngrihet flamuri çdo mëngjes në shkollat e Shqipërisë? Këndohet çdo mëngjes himni kombëtar? Përgjigja është e thjeshtë dhe përmblidhet në një "jo". Nuk mund të ngrihet flamuri çdo ditë; për shumë shkaqe.
Kjo i përngjet anekdotës për këmbanën e fshatit, që nuk binte për disa arsye; e para ishte se nuk kishte fare këmbanë. E pra, së pari, shumë shkolla nuk e kishin dhe nuk e kanë shtyllën për të ngritur flamurin. Në shumë shkolla, drejtuesit dhe mësuesit nuk dinë ku kanë kokën, punojnë me turne, s'kanë çati e dritare, ujë e dritë.
Por në një vështrim më profesional, ngritja e flamurit dhe të kënduarit e himnit kombëtar s'mund të bëhen orë e çast, vend e pa vend, por vetëm në ditë të caktuara, festa, përvjetorë, fillim e mbarim semestri e kështu më tej.
Ministri aktual, Myqerem Tafaj, ende pa e marrë mirë detyrën, deklaroi se deri në atë dhe këtë vit, nuk do të ketë në shkollat e mesme mësues pa master. Jemi pak a shumë në të njëjtën situatë falsiteti e ngutjeje.
Aktualisht, në shumë shkolla të mesme mësuesit janë pa arsimin përkatës, në disa krahina të harruara ata mungojnë fare. Mirëpo u bë një kohë e gjatë që me shkollën vetëm eksperimentohet dhe pas një sërë "shpikjesh" duket se shkolla nganjëherë i duron dhe nganjëherë i shpërfill ato, çka nënkupton se rezultatet nga "shpikjet" janë tejet modeste. Sapo shkel dikush në një zyrë shteti, mendon se ka ardhur për të bërë çudinë. Mania për të zhvendosur paraardhësit, për të "shpikur", veçmas në arsim, është tejet e padurueshme. Është një fushë, ku eksperimentet nuk kanë të sosur; ato kanë filluar që në kohën e socializmit dhe vazhdojnë sot e gjithë ditën.
Mund t'iu kujtonim zotërinjve "shpikës" se nuk është kjo rruga për ta shëndoshur arsimin. Natyrisht, si në çdo fushë tjetër, edhe këtu duhet kërkuar, me të drejtë po synohen përafrime ligjore dhe profesionale me shkollat më të përparuara në Evropë dhe më gjerë. Por të mos i ikim gjendjes reale në të cilën është arsimi.
Nëse duhet të bëjnë ndonjë gjë të re, ekspertët dhe "shpikësit" të përpiqen për sigurimin e mjediseve normale e të pranueshme për arsimin dhe jetën njerëzore në të gjithë territorin e vendit. Mund t'u kujtonim atyre se ka krahina, ku fëmijët e vegjël, por edhe mësuesit, udhëtojnë kohë e pa kohë, në mot të mirë e të keq, për të shkuar në atë shkollën ku e pret ajo "shpikja" e tetë-orëshit.
Nëse ka ndonjë gjë të re që mund të bëhet në arsim, është ndërtimi i shkollave të reja, në mënyrë që t'i jepet fund zhvillimit të mësimit me turne dhe me nga 40 e 50 nxënës në një klasë, kushte të turpshme për një vend që është në NATO dhe aspiron BE-në. Nëse ka ndonjë gjë të re që duhet bërë në arsim, kjo është të mos dërgohen mësuesit e nxënësit mish për top në mitingjet elektorale.
Në se ka ndonjë gjë të re që duhet bërë në arsim, është që mjediset mësimore të mos lihen pa ngrohje, pa mjete, pa pajisje. Nëse ka ndonjë gjë të re, që duhet bërë në arsim, kjo është që shkollave të mos u kullojnë tavanet dhe çatitë, që shkollat të kenë ujë e të mos qelben si mos më keq.
Më në fund, problemi shtrohet që arsimi të mos bëhet "mësimor", por të merret me gjëra të rëndësishme dhe të synojë objektiva të karakterit integrues. Vetëm 2.5 për qind e PBB-së konsumohet në Shqipëri për arsimin. Maqedonia e ka këtë shifër 3.5 për qind; Sllovenia 6 për qind; mund të shkojmë edhe diku larg për njëfarë krahasimi: Bjellorusia, jo fort e njohur për reforma, sikundër Shqipëria, e ka 6 për qind këtë shifër.
Në "Strategjia e Arsimit 2009 - 2013", midis të tjerave, bëhet një pasqyrë e gjendjes së arsimit te ne, krahasuar me disa vende të rajonit. Kuptohet që në shumë nga treguesit dalim "me këpucë të kuqe". Bie fjala, treguesin e përqindjes së nxënësve në shkollat profesionale, Shqipëria e ka 19 për qind, ndërkohë që Evropa e ka 62. 7 për qind, Serbia 70 për qind, Maqedonia 65 për qind, Kroacia 70 për qind, etj.
Mund të shihet qartazi situata false, në të cilin e kanë futur shkollën shqiptare amatorët e politikës dhe të arsimit. Shkolla s'mund të vuajë pareshtur tekat e zyrtarëve të lartë dhe (gjoja) ekspertëve të arsimit, që me papërgjegjshmëri, me eksperimente të vazhdueshme dhe duke kërkuar qiqra në hell, vit pas viti, e kanë shndërruar arsimin në një vuajtës të madh.