Perschler: Duhet të krenoheni me trashëgiminë kulturore
Ajo që e veçon më së shumti trashëgiminë kulturore në Kosovë është diversitet i saj. Kjo trashëgimi e shumëllojshme i ra në sy edhe ekspertit amerikan të trashëgimisë kulturore, Martin Perschler, i cili e vizitoi Kosovën javën e kaluar. Ai u takua me zyrtarë të shumtë, vizitoi vende të ndryshme në Kosovë dhe mbajti disa prezantime të ndryshme.
Perschler e udhëheq Fondin Amerikan të Ambasadorëve për Ruajtjen e Kulturës në Qendrën për Trashëgimi Kulturore, që është në kuadër të Departamentit të Shtetit.
Ai tregon për Express se qëllimi i këtij programi është të mbështesë ruajtjen e trashëgimisë kulturore në më shumë se 140 shtete të botës.
“Ne e bëjmë këtë duke dhënë grante për të mbështetur restaurimin e ndërtesave historike, konservimin e objekteve dhe koleksioneve muzeale dhe ruajtjen e trashëgimisë së paprekshme si vallëzimi dhe muzika tradicionale”, tha Perschler, i cili jep mësim për historinë e arkitekturës në John Hopkins University në Baltimore, Maryland.
Ai ka ardhur në Kosovë me ftesë të ambasadës amerikane për të ndarë disa prej përvojave të vendit të tij në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe kështu ka pasur një seri të prezantimeve dhe vizita të shumta në Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Vushtrri, në Hoçë të Madhe etj. ai i ka vizituar disa vende, të cilat qeveria amerikane ka ndihmuar për t’i restauruar.
Perschler gjithashtu bëri disa prezantime në Fakultetin e Arkitekturës, në Medrese dhe në Këndin Amerikan në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës. Fokusimi i prezantimeve të tij ka lëvizur duke u bazuar në audiencën.
“Kemi folur me profesionistë, me bërës të politikave dhe kemi folur për përvojat lidhur me ruajtjen e trashëgimisë kulturore në SHBA dhe potencialin e zhvillimit ekonomik që e siguron ruajtja e trashëgimisë kulturore. Kemi folur rreth asaj se si ShBA-të i qaset trashëgimisë kulturore nga dy perspektiva: njëra prej të cilave është rregullimi dhe tjetra vendimi. Dhe kjo është se si i inkurajojmë qytetarët amerikanë që ta ruajnë trashëgiminë kulturore dhe në të njëjtën kohë i sigurojmë ata me sistemin e rregullave dhe direktivave në atë se si ta bëjnë më të mirën të mundshme. Kur fola me studentët në Fakultetin e Arkitekturës këtu në Universitetin e Prishtinës, u fokusuam pak më shumë në ripërdorimin e përshtatur dhe në atë se si në SHBA arkitektët kanë dalë me disa qasje shumë kreative për t’i përditësuar ndërtesat historike që mund të përdoren për qëllime të reja në ditët e sotme”, tha Perschler.
Ndërsa, me studentët në Medrese ai ka folur për diversitetin e SHBA-ve shikuar në aspektin arkitektonik dhe ai thotë se studentëve tëMedresesë u pëlqeu të shohin se SHBA-të nuk janë vetëm qytete me rrokaqiej por edhe qytete me komunitete të ndryshme që kanë zgjedhur mënyra të ndryshme të jetesës nëpërmjet arkitekturës së tyre.
Ai po ashtu u takua me disa prej parlamentarëve me të cilët ka biseduar rreth qasjes së SHBA-ve ndaj ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe ndikimit ekonomik që ka pasur kjo në natyrën ndryshuese të turizmit në SHBA, duke pasur shumë e më shumë njerëz që udhëtojnë për të përjetuar trashëgiminë kulturore dhe se si ky grup i turistëve priret për të shpenzuar më shumë para kur udhëtojnë dhe qëndrojnë më shumë duke kontribuuar në ekonominë nacionale.
“Ka qenë një studim i vitit 2009 që thoshte se njerëzit që udhëtojnë në SHBA për të përjetuar ndonjë përvojë nga trashëgimia kulturore kanë kontribuar më shumë se 120 miliardë dollarë në ekonominë e atij viti dhe kjo nuk është një shumë e vogël e parave. Ky është një kontribut i madh në ekonomi”, thotë Perschler, duke sugjeruar se edhe në Kosovë mund të përfitohet ekonomikisht nga trashëgimia kulturore.
Ai po ashtu është takuar edhe me OJQ-të e Prizrenit që punojnë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, me të cilët ka ndarë mënyrën se si sistemi funksionon në SHBA. Ai u shpreh se trashëgimia kulturore në SHBA nuk është përgjegjësi vetëm e qeverisë kombëtare apo shtetit apo qeverisë lokale apo vetëm e sektorit privat, por është një partneritet që përbëhet nga vullnetarë, profesionistë, OJQ, qeverisë lokale, qeverisë shtetërore dhe qeverisë kombëtare dhe kjo qasje e partneritetit ndaj ruajtjes së trashëgimisë kulturore është e shkruar në ligjin për trashëgiminë kulturore të vendit tonë.
Ai tha se shumica e vendeve në Kosovë i janë dukur shumë tërheqëse.
“Të gjitha ishin të ndryshme për mua. Gjëja e parë që e di është që secili vend që e vizituam ka një karakter të caktuar dhe një ritëm të caktuar. Kishte tradita unike arkitekturale, zëra unikë, shije unike dhe kuzhina lokale kontribuon në disa përvoja unike në një lokacion relativisht të vogël gjeografik. Po reflektoja se si mund të arrinim diçka të ngjashme në SHBA por në SHBA duhet të udhëtosh disa orë apo të fluturosh me aeroplan për të arritur në një vend ku mund të përjetosh diçka të tillë”, tha ai.
Një prej gjërave që atë e ka impresionuar më së shumti është fakti se sa të shumëllojshëm janë komunitetet këtu në Kosovë në një hapësirë gjeografike kaq të afërt.
Perschler u shpreh se kosovarët duhet të jenë në dijeni rreth trashëgimisë kulturore, prandaj të rritet kujdesi publik dhe edukimi si dhe të informohen njerëzit rreth shtresave të shumta të historisë në komunitetet e tyre. Ai shtoi se në SHBA është përgjegjësi e të gjithëve për të folur rreth historisë lokale në shkolla, për të ftuar të rinjtë dhe të vjetrit nëpër muze, për t’i njoftuar ata me trashëgiminë lokale.
Perschler tha se sikur të jetonte këtu do të krenohej me shtëpitë historike që janë shndërruar në muze, pastaj do të krenohej me ushqimin tradicional, me tepihët tradicionalë shqiptarë, por më së shumti me qytetin e Prizrenit.
“Derisa interesimi im është arkitektura, shtëpitë historike që janë restauruar dhe kthyer në muze etnologjikë në Gjakovë dhe këtu në Prishtinë si dhe shtëpia historike në Prizren që është restauruar dhe transformuar në muzeun etnologjik janë këto me të cilat do të isha shumë krenar sepse në një hapësirë të vogël gjeografike ato përfaqësojnë tri mënyra tradicionale shumë unike të ndërtimit”, tha Perschler. Ai shtoi se është hipnotizuar nga tepihët tradicionalë shqiptarë dhe po ashtu është kënaqur me ushqimin tradicional këtu.
E kur flet për Prizrenin, ai thotë se ky qytet është një peizazh i tërë kulturor.
“Më duhet të them se në një qytet si Prizreni, i rrethuar me male dhe me lumin që kalon nëpër të, është një peizazh i tërë kulturor, është një mjedis i tërë që lartëson gjithçka që njerëzit në Kosovë ishin, janë dhe mund të jenë në të ardhmen”, tha Perschler.
Me këto ai tha se do të krenohej.