E Diel, 1 Nëntor 2026

Përse Berisha e etiketoi Ahmadinexhadin "Hitler"?

Kujtuam se iku e vate ajo kohë kur komandanti e shpallte Shqipërinë “fanar ndriçues” të botës. Në eter nëpërmjet “Radio Tiranës” hapër-dahej asokohe në të gjitha gjuhët e botës "zëri i së vërtetës" që të viheshin pikat mbi "i" mbi konfliktet e kontradiktat e rruzullit, përfshirë edhe Lindjen e Mesme. Bëhej sinoptikë, jepeshin zgjidhje dhe rrugëdalje për krizat, sigurisht pasi të shpërthente kazani i revolucionit botëror, gjithnjë sipas mësimeve të vyera të Atij… Por nuk qenka e thënë që Shqipëria ta lërë botën pa një tjetër vizionar mendjendritur, kampion i "vendeve të para" dhe "i rrugëve të pashkelura", të cilit detyrohet sërish t'i "shkojë pas historia", si një manar…. Mjafton të lexohet deklarata e datës 18/08/'12 e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë që të kuptohet se lidershipi shqiptar i përmasave botërore sërish po i troket në derë botës mbarë:

"Me deklaratën e tij të fundit, se nuk do ketë vend në Lindjen e Mesme për Izraelin, Presidenti i Iranit, Ahmadinexhad, dëshmon në mënyrë të përsëritur se ai ndan me Hitlerin dhe lejtnantët e tij qëndrime dhe ideologji identike për hebrenjtë dhe kombin e tyre. Me këto qëndrime, Ahmadinexhad dëshmon se ai dhe ideologjia e tij janë një kërcënim real madhor dhe në rritje për paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe në mbarë botën. Deklaratat naziste e paranojake të Ahmadinexhad janë një thirrje e vërtetë për ndalimin me çdo kusht dhe mjet të programit nuklear të Iranit, si një ndër rreziqet më madhore të paqes botërore sot".

Pa qenë e nevojshme të komentohet deklarata e mësipërme e Berishës, e cila është bërë një ditë para se kryeministri të shtronte iftar në kryeqytet, pyetjet që lindin natyrshëm pas këtij pohimi kaq kërcënonjës, që paralajmëron rrezikun e paqes botërore janë:
1. Ç'nevojë dhe ç'ngut e ka shtyrë kryeministrin të bëjë një deklaratë të tillë të ashpër e kaq jo diplomatike kundër Presidentit të Iranit, duke e quajtur atë një Hitler, i cili me kësi "deklaratash naziste e paranojake" paraqet "një ndër rreziqet më madhore të paqes botërore"? Ç'di dhe ç'parandien më tepër se udhëheqësit e mëdhenj të botës, Obama e Merkel, kryeministri ynë?

2. Mos vallë, - qoftëlarg!, - edhe Berisha na qenka sëmurur nga deliri i madhështisë dhe tanimë kujton e beson se fjala e tij autoritare do të peshojë e do të vlerësohet jo vetëm në Ballkan, po edhe në Lindjen e Mesme, aq sa jo vetëm Presidenti i Iranit, po edhe ajatollahët do të detyrohen t'i vënë gishtin kokës?
3. Mos vallë këtë qëndrim të prerë ia ka kërkuar diplomacia ndërkombëtare, qarqet ushtarake të NATO-s, meqë na konsiderojnë vend musliman, anëtar të Konferencës Islamike, ndaj presupozohet se fjala e Shqipërisë dhe e një kreu me afilacion e lidhje të theksuara me botën islamike ka për të pasur ndikim aq deciziv, sa të bindë Iranin të heqë dorë nga armatimi bërthamor?
4. Apo mos jemi rreshtuar, kur erdhi ministri izraelit Liberman në Tiranë, në krah të Izraelit në rast se ky shtet do të sulmojë, si thuhet, Iranin dhe deklarata e qeverisë shqiptare shërben edhe si ultimatum, edhe si një parathënie indirekte për shpallje lufte?
* * *
Jam i bindur që shumëkush, përfshi edhe mua, nuk e beson një të tillë delir me përmasa ndërkombëtare të Berishës. E kam të vështirë gjithashtu të besoj një njeri që ka mbi 20 vjet në politikë të jetë aq naiv sa të mos i marrë parasysh rrjedhojat e këtyre pyetjeve dramatike e problematike për një vend të vogël e me shumë halle nëpër këmbë. Një shtet i vogël, pa këllqe, pa peshë ndërkombëtare, i cili, për faj të keqqeverisjes nuk po siguron dot as statusin e kandidatit në BE, si është e mundur të mos e kuptojë se vetëm asnjanësia, duke qenë detyrim, mund të sigurojë respekt, mbrothësi e dinjitet?
Nuk ka dyshim që deliri i Berishës luan rol negativ në këtë qasje të çartur, absurde dhe agresive. Deliri i tij është tanimë i prekshëm, nuk fshihet e nuk maskohet as prej atij vetë, sepse ka gjetur ushqim të favorshëm brenda kufijve në mitingjet e stisura, të paguara e të rrëmbushura me mercenarë bathoristë që brohorasin hyrjabyrja para kamerave e, kur del jashtë, edhe me hosanarat e diasporës së cilës i ka mbetur ora në Luftën e Ftohtë...Në të kundërt, me krerët ndërkombëtarë Berisha sillet tepër i kujdesshëm, për të mos thënë edhe i lakueshëm deri në shfaqjen më qesharake të puthadorësisë së një bejlurçine rural ballkanik... Është aq "i përkorë" e i ëmbël me personalitet botërore sa shpesh të vjen turp ta ndjekësh nëpër kronikat televizive si vërsulet korridoreve, në pushim të tubimeve, të rrëmbejë një duarshtrëngim e të dhurojë buzëqeshje pa adresë e pa kuptim, të cilat fiksohen nga kamerat e RTSH-së që të serviren më pas këtejpari si takime zyrtare tejet të rëndësishme....

E megjithatë sa më sipër nuk e shteron dot pyetjen: Nëse sëmundja e delirit nuk ka shkuar aq larg, atëherë ç'e ka shtyrë e detyruar Berishën t'i shpallë luftë verbale Iranit, kur dihet se ç'peshë dhe ç'rol minor mund të luajmë ne edhe në Ballkan dhe kur, një qëndrim kaq të ashpër nuk e kanë mbajtur as SHBA, dhe as Izraeli që ka paralajmëruar luftë? Se, tekefundit, edhe sikur të gjendeshim gjeografikisht në mes të kufirit Iran-Izrael, një burrë shteti normal e i mençur minimalisht do të matej kur të lëshonte të tilla deklarata armiqësore! Se, po të merret seriozisht një deklaratë e tillë, më e pakta do ta vërë Shqipërinë, pa pasur asnjë shkak, hall apo nevojë, në qendër të ciklonit terrorist islamik, sepse, si thuhet, Irani konsiderohet si promotori parësor i terrorizmit ndërkombëtar.
Por për të hyrë në thelb të kësaj "lufte" virtuale e absurde me Iranin, tërthorazi ndihmon faqja zyrtare e Këshillit të Ministrave. Nëse të nesërmen e deklaratës së mësipërme Berisha u shfaq i përdëllyer e i përkushtuar ndaj Allahut në iftarin që shtroi në Tiranë, një ditë më parë ai pat pritur në zyrë ambasadorin amerikan Arvizu, "i cili i prezantoi kryeministrit zv. ambasadorin Henry V. Jardin.... Në takim u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe, forcimin dhe intensifikimin e tyre në të gjitha fushat, me interes të ndërsjellë, u shpreh kënaqësia për nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve midis dy vendeve. Kryeministri Berisha ritheksoi angazhimin maksimal të qeverisë shqiptare që këto marrëdhënie të çohen përpara dhe të njohin zhvillime të mëtejshme pozitive për të dyja vendet."....K.M. 17/08/2012.

Ky ishte takimi i parë i ambasadorit amerikan me kryeministrin pas zgjedhjes së Presidentit dhe sidomos pas emërimit të beftë e problematik të kryetarit të ri të SHISH. Afërmendsh, amerikanët mund të viheshin para faktit të kryer për zgjedhjen e Presidentit Nishani, si edhe u vunë, po nuk mund të pranonin qetësisht heqjen dhe zëvendësimin e Shaqirit "që ka punuar mirë" me një rekrut të Gazidedes dhe të Berishës, kur dihet që interesat amerikane në SHISH kanë synime strategjike kundër terrorizmit ndërkombëtar jo vetëm për rajonin…. Hapur dhe pa doreza diplomatike, "rruga e Elbasanit" vitet e fundit ka mundur të ngrijë të gjitha tentativat e synimet grabitqare të Berishës për të vënë nën kontroll vetjak këtë Shërbim, të cilin, po nuk e pati të vetin, Berisha, me sa duket, për shumë arsye, ndjen edhe pasiguri, edhe frikë.

Kjo do të thotë që edhe pse në deklaratën për shtyp nuk thuhet që ambasadori amerikan i ka shprehur pakënaqësinë zyrtare të SHBA-ve për këtë "shkelje në besë", ashtu si, nga ana e tij, edhe Berisha me siguri do të jetë përbetuar dhe i ka "garantue edhe njëherë" vëllezërit amerikanë se SHISH do të mbetet ai që ka qenë…. Pikërisht kjo nevojë, -për të ringjallur besimin e dëmtuar rëndë, pas "operacionit" të beftë e hileqar në SHISH, - e ka shtyrë Berishën, pa ia kërkuar kush, të dalë të nesërmen me një deklaratë publike kundër Iranit, duke vepruar si struci, a sipas shprehjes popullore: Kur s'ke ç'i bën gomarit, bjeri samarit! I bindur dhe dyshues se ndoshta nuk pat dhënë garanci të mjaftueshme për të rifituar besimin e lëkundur të amerikanëve, (dilema në fakt është: Mos vallë e ka humbur edhe mbështetjen e tyre?) e detyron instiktivisht, nga që e ka pësuar njëherë në '97-tën, të provojë me çdo mjet, pa u menduar gjatë, se jo vetëm që është në krah të tyre, po ja, shikoni si po guxon të quajë publikisht e zyrtarisht, në emër të qeverisë shqiptare, Ahmadinexhadin një kryeterrorist, një Hitler, rrezik e kërcënim serioz për paqen botërore!

Ky është shkaku që ambasadori i Iranit doli dhe në shtyp dhe tha, edhe ky, me një gjuhë që e kapërcen kufirin e diplomacisë, se: "...Pushtetarët duhet ta dinë se zhvillimet politike janë kalimtare dhe nuk duhet që nën ndikimin e këtyre zhvillimeve të bëhen deklarata që të mbeten si pika të errëta në kujtesën historike të popujve. Unë kam bindjen se këto deklarata janë bërë në një situatë të veçantë dhe nuk mund të jenë pasqyrim i opinionit të vërtetë dhe të brendshëm të pushtetarëve shqiptarë dhe të kryeministrit ndaj Republikës Islamike të Iranit..." (Sipas gazetës 'Shekulli').

Sa më sipër vlen të kuptojmë edhe njëherë se sa arrogantë, sa të papërgjegjshëm, sa të paskrupullt e sa harbutë mendjengushtë janë zyrtarët tanë të lartë me qytetarët, me institucionet, me vendin e tyre, me interesat madhore të shtetit e të kombit, dhe sa të përdorur, të keqpërdorur, lapërdharë pa personalitet janë ata me ndërkombëtarët, kur vihet në pikëpyetje karrigia e tyre!
* * *
E pse të shkojmë kaq larg, në Lindjen e Mesme? Le të shohim se si po sillen me Greqinë, me këtë shtet aq hallemadh, sa e gjithë bota nuk po ua zgjidh dot nyjën e falimentit…. Heshtet kur një deputet nazist grek hyn në Himarë dhe kërkon hapur copëtimin e Shqipërisë dhe po ashtu nuk bëzan kush nga qeveria kur shpallet "non grata" një gazetar shqiptar. Ndërsa krerët tanë sillen ndaj nesh si ofiqarë kapadainj, me qeverinë greke si hyzmeqarë të rrahur e të bindur; janë nga ai soj "cubash" kokorroçë që mund të falin edhe detin, nj'ashtu si detyroheshin dikur të jepnin te beu edhe nusen për… për të drejtën e "natës së parë"!…. Ndërkohë që mund të vrasin edhe vëllanë për një rrip tokë, apo edhe vajzën për një fjalë goje, kur nuk pranon të kullosë dhitë!
Të lumët ne!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›