E Diel, 1 Nëntor 2026

Përse vallë ka kaq shume qorra që nuk duan sy?

01-06-2012 / Nga Idriz Xhomara

(Impresione rreth librit “Apologji për Udhën e Kombit” të Rexhep Shahut)
 
Perëndia i ka dhënë njerëzimit lumenjtë dhe luginat që të ecnin njerëzit dhe jo të “kacavireshin” kreshtave e maleve, me këmbë, kuaj dhe më vonë me makina.
Pra ka përcaktuar edhe ku do të bëhej Rruga e Kombit, Udha e Kombit, titull shumë domethënës dhe sinjifikativ që mban libri i ditëve të fundit i autorit Rexhep Shahu.
Me një stil sa publiçistik aq edhe narrativ, pse jo dhe me stilin e kronikanit, edhe kur nuk respekton kronologjine, autori u transmeton dhe i sjell në kujtese lexuesit dhe gjithë opinionit mbarëshqiptar, odisenë e ndërtimit të kësaj Udhe.
Kjo Udhë mund të përftyrohet edhe si një “përbindësh”, që “tradhëton” Urën e Zogut, apo të Matit, por jo se qëndron larg, për të shqyer një mal për te Porta e Diellit, Kukës, Prizren e më tej, me një drite që t’i shqyen sytë përveç atyre që kanë lindur të verbër (Metafora “Porta e Diellit” është krijuar bazuar në librin e shkrimtares së famshme franceze, Simone Terri, Puerta del Sol)
Dhe është shumë e çuditshme se përse nuk ka vlerë në këtë rast shprehja: A nuk i do qorri sytë!?
Sa shumë u anatemua kjo Udhë, bile edhe sot e kësaj dite. Udhëtojnë drejtë Qafë Malit dhe nuk duan t’i kthejnë sytë nga kjo Udhë.
Këtë Udhe nuk do ta bënin as në fund të shekullit 21 duke llogaritur 200-300 m trase në Skuraj. Nuk do ta bënin se pse nuk kishin kohë mbasi do të merreshin me orkestrimin e bandës me curle, daulle e bilbila.
Nuk do ta bënin edhe sepse nuk donin ta bënin.
Harronin se kjo nuk ishte rruga e Veriut të “malokëve”, apo e Kukësit, mbasi është më shumë në interes të pjesës tjetër të Shqipërisë deri në Kakavijë duke qenë  se automjetet nuk ndalojnë në Kukës apo Rrëshen për furnizim me karburant apo për kafe.
Do të thoni politika këtë punë ka.
Por çfarë do t’u themi dhe opinionistëve dhe analistëve!
Do zoti i madh të mos na shterrojnë se ku do t’i marim me qira…
Pejsazh i zymtë, ku kalon Udha. Të paktën të thotë për një alternativë tjetër.
Shiko, i dashuri opinionist, qytezën e rrënuar të Repsit ku jetonin gardianët e Spaçit ku ishin të burgosurit “pej së vërteti”, siç themi ne korçarët, se si është transformuar sot. Dil më lart dhe nga Kulla e Gjon Markagjonit për në Neshenjtë, ndoshta zona më e virgjër e vendit, me pasuri qe ne nuk arrijmë t’i vlerësojmë dhe nuk janë objekt i këtij shkrimi.
Afër Bulsharit do të hapet një shteg për t’i hequr “duvakun” Lurës për të cilën, Fishta do të thoshte se “Kush nuk ka parë Lurën, nuk ka parë Shqipërinë”, apo Dom Nikollë Kaçorri, zëvendësi i Ismail Qemalit, i lindur dhe rritur në Lurë, shkruante: “mos deksha pa pa një urë nga Kunora e Lurës deri në Zvicër”.
Shiko Klosin dhe gjithë Fanin, dikur simbol i prapambetjes dhe fukarallëkut ekstrem.
Sa kushton sot nje bokërrinë, skerka në Jug, një shtëpi dhe pse po kthehen ata që ishin larguar?
Duke ndjerë peshën e marres, duke medituar pranë zjarrit partizan, u gjet dhe rrugedalja:
Eureka!,  të marrim përsipër ndërtimin brenda një nate të Intekonjeksionit me Kosovën, kaq shumë e vonuar nga Partia Demokratike.
Por duhet ta dini se është një shprehje mbarëshqiptare, se nuk lahet m... me sh...
Shumë dhe shumë më tepër do të gjeni në librin “Apologji për Udhën e Kombit” në këtë libër jo pak i mundishem i Rexhep Shahut.
E përgëzoj autorin dhe do ta përfundoj me një strofë të marrë nga një poezi e Gjokë Becit:
Lahutari - vllau i borës,
Harkun ndal, del n’autostradë,
-do t’ja puth rrugët Kosovës,
Se m’pat plakë kjo ndarje e gjate…

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›