Përsëriten votimet në disa vendvotime të Strugës

Betejë e ashpër etnike po zhvillohet në Komisionin Shtetëror Zgjedhor të Maqedonisë rreth ankesave të VMRO DPMNE-së për zgjedhjet në komunën e Strugës. Gjatë debatit të mbrëmshëm u shqyrtuan 4 nga gjithsej 17 ankesat e paraqitura nga partia në pushtet. Dy prej tyre u refuzuan, ndërsa dy të tjera, falë mbivotimit të anëtarëve shqiptarë të KSHZ-së nga ata maqedonas, u pranuan. Ankesat e pranuara kanë të bëjnë për vendvotimin 18-60, ku të drejtë vote kanë 762 qytetarë, dhe vendvotimi me numër 18-77, ku të drejtë vote kanë 800 qytetarë. Njëra ankesë kishte të bënte me arsyetimin se për një kohë është votuar me stilolaps me ngjyrë të kaltër, dhe më pas është ndërruar me stilolaps me ngjyrë të zezë!
“Në rast se dëshironi edhe më tej të vazhdoni kështu, ju them se unë, Subhi Jakupi, nënkryetar i KSHZ-së, nuk do të jem pjesëmarrës i anarkisë, mosrespektimit të kushtetutës dhe ligjeve. Në rast se vazhdoni edhe më tej të vendosni kështu, pa kurrfarë argumente, pa kurrfarë baze, atëherë unë do të jem i detyruar që ta braktisë këtë KSHZ. Në rast se kthehemi dhe t’i shqyrtojmë përmes detyrës zyrtare, t’i shqyrtojmë ngadalë, t’i shohim argumentet, të vendosim në bazë të argumenteve, atëherë jam këtu”, deklaroi Subhi Jakupi, nënkryetar i KSHZ-së, raporton Alsat-M.
“Kjo që ndodhi mbrëmë me Strugën, është rast i paparë. Vendimi u mor pa argumente dhe me mbivotim etnik. Kjo është e pa tolerueshme, pa kurrfarë argumentesh, pa kurrfarë dëshmie, absolutisht pa kurrfarë argumentesh. Të anulohet vendvotimi ku nuk ka kurrfarë argumenti, këtë nuk mund ta pranoj. Edhe pse jam përfaqësues i PDSH-së, edhe sepse bëhet fjalë për kandidatin e PDSH-së, në rast se ka argumente, unë i pari do të votoj. Atje ku ka argumente i pari do të marrë fjalën, do të pranohet parashtresa, atje ku ka pesë fletëvotimi në kuti, do të anulohet, s’ka shanse të mos anulohet, jo Ziadin Sela, por sikur të jetë edhe ‘shën Ziadin Sela’. Do të anulohen nëse vërtet ka parregullsi, por jo edhe tek këto dy vendvotime”, tha Bedredin Ibrahimi, anëtar i KSHZ-së.
Ndërkohë, përfaqësuesit e palës tjetër thanë se pretendimet për argumente me bazë etnike janë të pabaza.
Pas 17 ankesave për qytetin e Strugës, KSHZ-ja duhet të vazhdojë me shqyrtimin e 252 ankesave të LSDM-së opozitare. Afati për shqyrtimin e ankesave skadoi mbrëmë, në orën 19:00, kështu që KSHZ-ja po shkel afatin kohor për shqyrtim të ankesave të përcaktuara me ligj.
Agjencia Ina pohon se në Strugë do të ketë rivotime për raundin e dytë zgjedhor, pas ankesave që bëri VMRO-DPMNE. Në balotazh fitoi bindshëm Ziadin Sela i PDSH-së
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka pranuar katër ankesa të VMRO-DPMNE-së dhe ka vendosur që në komunën e Strugës të ketë rivotim, për zgjedhjet e balotazhit.
Zgjedhjet, si informon INA, do të përsëriten në vendvotimin e Ladorishtës dhe në një vendvotim në Strugë. KSHZ, ndërkaq pritet t’i shqyrtojë edhe 13 ankesa të tjera për Strugën, të dorëzuara nga VMRO-DPMNE dhe LSDM.
Në Ladorishtë, siç arsyetohet, zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Vlladimir Peshevski, si përfaqësues i VMRO-DPMNE-së, është penguar për të ndjekur procesin e votimit./Indeksonline/