E Shtunë, 31 Tetor 2026

Persiatje të një dite plazhi

ilir metaj vloreNga Ilir Metaj

Gusht…

Vapë…

Ulur në shezlong, nën çadër…

Administratori i plazhit është munduar të shfrytezojë në maksimum vapën e këtyre ditëve dhe kërkesën në rritje për çadra, duke i vendosur shumë pranë njëra- tjetrës, për të shtuar edhe pak të tjera.

Kjo i detyron plazhistët të mundohen të flasin përgjithësisht me zë të ulët, sepse, në të kundërt, komshiu pranë mund të ndërhyjë për të vendosur presjet në bisedë.

Vapë. Disa me gazeta në duar, më pak të tjerë me libra, shumica thjesht i gëzohet rrezeve të diellit.

Gjithsesi, qetësi. Dëgjohen vetëm me të rrallë thirrjet e zvargura të shitësve ambulantë: Hajde misra të pjekur! Merr dy, paguaj një! Edhe misrat në ofertë. Epo, kriza

I gëzohem kësaj perandorie relaksuese. Por, ah, jo për shumë.

Mbërrijne ata: babi, mami dhe fëmija. Familja tipike, do thoni ju. Ja ta shohim modelin sa tipike është. Meqë qetësia na u prish, kemi kohë të bëjmë edhe ndonjë persiatje.

Ai është rreth 30, me kapelen e Inter-it në kokë, bluzën e Real Madrid-it dhe syze të zeza me skelet të trashë të bardhë (kombinimi perfekt për të qenë antipatik për shijen time).

Ajo pak a shumë e njëjta moshë, flokët shuuuumë bionde, me një grim hard sikur po feston Halloween, fustan leopardato tepër elastik, sandale me takë jo më pak se 10 cm.

Fëmijën e shtyjnë në karrocë bebi edhe pse duket që është jo më i vogël se 5 vjeç.

Sistemohen në çadër… Bukuri deri këtu.

Ai shtrihet në shezlong dhe menjëherë fillon të navigojë në iPad-in e tij. Ajo heq fustanin leopardato, duke nxjerrë në pah kostumin e banjës lëkurë tigri, ulet, merr një pasqyrë të vogël dhe fillon të risistemojë makijazhin që djersitja nga vapa, mesa duket ia ka zbehur.

Vetiu uroj të mos lahet në det sa pa ikur ne. Përfytyroj se si gjithë ajo bojë do të ndotë detin njësoj si derdhjet e anijeve. Përpiqem të largoj këtë imazh duke u rizhytur në librin që kam në dorë. Por jo.

Befas asgjë nuk është më si më parë!

Dhe jo vetëm për mua. Të gjithë kanë ngritur kokat të çuditur. Kuptojnë: qetësia mori fund. E kuptojnë edhe peshqit në det e nuk po lëvizin më nga frika.

Fëmija fillon të bërtasë me sa i ha gurmazi. Zëri është i hollë piskamë, paksa i çjerrë, por vendosmërisht i pafund. Më kujtoi sirenat që lajmëronin futjen në trincë gjatë alarmeve ushtarake.

Gjithë plazhi detyrohet tju dedikojë vëmendjen duke parë ngultas drejt tyre, por prindërit duken të familjarizuar me këtë situatë, vazhdojnë të bëjnë atë që u pëlqen: ai navigon, ajo pozon (ndoshta kujton se është arsyeja e vështrimeve) dhe fëmija alarmon.

Dikur kujtohen.

Ai pa ngritur sytë nga iPad-i: E dashur, foli Entonit…

Ajo duke vazhduar trukimin: Entoniiiiii, çfarë ke zemër? Të lutem mos bëj kështu…

E bënë detyrën të dy. Entoni vazhdon të këlthasë. Nuk ndalon as të marrë frymë. Qenka i talentuar në të qarë.

Ai edhe një herë, pa ngritur sytë nga iPad-i: Shpirti, po foli pak pra…

Ajo duke vazhduar makijazhin: Zemra, po i fola pra. Të lutem Entoni, të lutet mami, pusho tani se po e shqetëson babin…

Ne gati bërtasim njëzëri: vetëm babin?! Nejse.

Entoni vazhdon në kreshendo akoma më me inat.

Bëhem nervoz.

Më vjen të rrëmbej një banane dhe pasi ta zhvesh nga lëkura t’ia rras Entonit në gojë.

Apo më mirë të rrëmbej dy banane dhe pa i zhveshur nga lëkura t’ua rras mamit dhe babit ne gojë?

Shikoj njerëzit përreth dhe lexoj mendimin tim në sytë e tyre: votojnë variantin e dytë.

Por, ajo që bëra në të vërtetë rezultoi zgjidhje për të gjithë: deti u mbush me njerëz qe laheshin duke zhytur kokën brenda.

Ndejta gjate në det. U riktheva në çadër dhe vura re me gëzim se Entonin e kishte zënë gjumi. Nuk po bërtiste më. E pabesueshme, por e vërtetë.

U shtriva në shezlong dhe rimora librin ne duar. Një rrëmujë këmbësh më tërhoqi sërish vëmendjen.

4-5 familje me një zhurmë të gëzueshme sapo erdhën dhe po shikonin për çadra. Ishin të lira vetëm 3 të kuqe (të administratorit të plazhit komshi) dhe 1 e bardhë (e administratorit të plazhit tonë). I zunë të katër çadrat dhe po hapnin peshqirët, kur djali i administratorit të çadrave të plazhit tonë afrohet dhe u thotë: Jo këtu! Është e prenotuar çadra!

Në fakt nuk dukej të ishte ashtu. Familjet mbeten të hutuara. Tre çadrat e kuqe ishin ngushtë për ta. Kishin shumë fëmijë me vete. Morën përsëri peshqirët dhe u larguan për në plazhet e tjerë më tutje.

Ndoqa me sy djalin tek shkoi te i ati, që ishte ulur në tavolinë e po pinte birrëe. Diçka i shpjegoi me triumf dhe ai filloi të qeshte. Kuptova: vërtet humbi pagesën për një çadër, por ama i humbi pagesën për tre të tilla komshiut.

E lexova këtë lloj kënaqësie edhe në fytyrën e djalit dhe me mjaftoi për tú ndjerë pesimist për një moment.

Përsa kohë të kemi si qëllim vetëm humbjen e komshiut dhe jo fitoren e përbashkët çadrat do vazhdojnë të mbeten bosh në Shqipëri!

Gusht…

Vapë…

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›