Personazhet e Pirandelo-s, premierë në Teatrin Kombëtar
“Ne do të përpiqemi që të bëjmë më të mirën për vepra të tilla të mëdha. Ndoshta nuk mund të arrijmë aty ku duhet për të kënaqur shijet, por të paktën kemi dëshirën për të punuar me tekste të rëndësishme”, ka thënë aktori Dritan Boriçi në konferencën për shtyp që i parapriu premierës së sotme të pjesës “Gjashtë personazhe kërkojnë një autor”, të Luigi Pirandelo-s. Regjisori me panelin e aktorëve folën mbi veprën në tërësi, për rolet e veçanta dhe konceptin regjisorial. Fatos Sela, Eftjola Laçka, Olta Daku, Marjeta Ljarja, Dritan Boriçi, Suela Konjari, Flaura Kureta, Fadil Kujovsa, Sokol Angjeli, Devis Muka , Mërkur Bozg, Erin Kujovsa, Dea Xhelili, Klodian Hoxha, Elida Janushi, Dasara Xhangolli dhe aktorja e re, Arjeta Dhima, është kasti i përzgjedhur nga regjisori për pjesën. Subjekti vendoset në skenën e një teatri ku një trupë aktorësh janë duke bërë prova në një ditë të zakonshme, shfaqen nga kushedi se ku, gjashtë personazhe. Kur regjisorja i pyet se përse kanë ardhur, ata i përgjigjen se kërkojnë një autor, sepse, një autor tjetër, pasi i ka krijuar në fantazinë e tij, i ka refuzuar dhe nuk i ka futur në botën e arti. Vetë skenografia e krijuar nga Genc Shkodrani ka qenë një imitim në miniaturë i sallës së madhe të Teatrit tonë Kombëtar, ndërsa kostumet janë realizuar nga Anila Zajmi. “Gjashtë personazhe kërkojnë një autor” do të shfaqet edhe në datat 9 e 10 prill.
#