Politikanët vjedhin ditën e romëve
Në ditën ndërkombëtare të romëve, këtij komuniteti ndër më të diskriminuarit në shoqërinë shqiptare, ishin politikanët ata që sërish u bënë protagonistët e festës. Këtë herë madje me aq shumë premtime sa deri vitin tjetër komuniteti rom do të duhet të mbetet fort i kënaqur. Kështu, vetë Kryeministri i vendit, Sali Berisha, në këtë ditë të shënuar për romët vizitoi shkollën “7 Marsi” në kryeqytet, në të cilën janë hapur klasa të posaçme, ku mësojnë fëmijë romë, të moshave të ndryshme, që nuk kanë frekuentuar asnjëherë shkollën. Kreu i ekzekutivit tha se Ministria e Arsimit duhet të krijojë çdo lehtësi që këta fëmijë të ndjekin shkollën, që përfshin si pajisjen me libra e mjete të tjera mësimore, po ashtu edhe lehtësira për sa i përket ushqimit. Madje ai premtoi edhe garantimin e ushqimit për fëmijët romë në shkolla. “Ne i kemi të gjitha mundësitë zoti ministër i Arsimit, duhet ta ndërmarrim një program ushqimor për të gjithë fëmijët romë që ndjekin shkollën. Një projekt i tillë duhet të shtrihet në të gjitha rrethet, në mënyrë që shkollën dhe ndjekjen e saj t’ua bëjmë më të lehtë”. Sipas Berishës, ka rrethe siç është Lezha, në të cilin të gjithë fëmijët romë ndjekin shkollën, po kështu Korça, Fieri ka bërë progres të madh, por në krye të tyre duhet të qëndrojë Tirana. Ai sërish u ka premtuar fëmijëve romë se “Ministria e Arsimit, Drejtoria Arsimore, drejtoritë e shkollave, mësuesit do të bëjnë gjithçka që të gjithë vëllezërit dhe motrat tuaja, shokët dhe shoqet tuaj të ulen në bankat e shkollës, të mësojnë të shkollohen dhe të mund të ndërtojnë jetën shumë më mirë dhe në kushtet që e meritojnë”. Një deklaratë e tillë vjen në një kohë kur rrugët e kryeqytetit janë të mbushura me fëmijë, madje dhe foshnja rome që mësimin dhe punën e përditshme kanë lypjen. Më tej Berisha u shpreh se përveç shkollimit, edhe strehimi e punësimi i tyre zënë një vend të veçantë në masat e qeverisë për t’i ardhur në ndihmë këtij komuniteti. Kryeministri kërkoi nga institucionet kredidhënëse, që me përparësi të kreditojnë biznesin rom. Një gjë e tillë duket thuajse e pamundur në një kohë kur bankat tregohen mjaft skeptike e dorështrënguara edhe për të kredituar biznesin e konsoliduar, e ku çdo ditë e më tepër individi e ka të vështirë të përfitojë.
Po në këtë ditë të shënuar për romët, në qendër të kryeqytetit një vend të veçantë ka zënë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. “Dua të përshëndes të gjithë fëmijët e pranishëm, dua t’u uroj festën, dua t’i siguroj se Bashkia e Tiranës do të bëjë gjithçka mundet për të qenë pranë tyre, për t’i ndihmuar edhe më shumë, që të marrin pjesë në proceset e edukimit, qoftë duke shkuar në shkollë, qoftë nëpër kurset që ne kemi organizuar enkas, qoftë edhe në të gjitha aktivitetet ku ne duam që të jeni pjesë, së bashku me të gjithë fëmijët e tjerë të kryeqytetit”, u shpreh kryebashkiaku Rama. Ai e mbylli fjalën e tij “me urimin që të ulim sa të jetë e mundur deri në 0 numrin e fëmijëve romë që qëndrojnë në rrugë, për shkak të varfërisë së skajshme, por edhe të një shfrytëzimi të padenjë dhe të patolerueshëm që u bëhet dhe njëkohësisht me urimin që të gjithë prindërit këtu të pranishëm, të kenë më shumë mundësi për të pasur një punë të qëndrueshme, me të cilën të mund të mbajnë familjet e tyre, pa qenë të detyruar të dalin në rrugët ku i çon nevoja për një lëmoshë”.
#