Personazhi i vitit 2009, lexuesit e NOA votojnë Berishën dhe Ramën

Tiranë, 1 Janar 2010 NOA Sondazhi i fundvitit në agjencinë kombëtare të lajmeve NOA që u realizua në www.noa.al gjatë pesë ditëve të fundit të vitit 2009, ka nxjerrë fitues kryeministrin Sali Berisha kurse menjëherë pas tij është renditur kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama. Në sondazh janë votuar edhe shkrimtari i njohur Ismail Kadare i cili u rendit i treti kurse një vend pas tij është renditur zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta. Lexuesit e NOA me të drejtën e një vote në sondazh, kanë votuar 49.8 për qind në favor të kryeministrit Berisha i cili drejton edhe Partinë Demokratike.
Kryesocialisti Edi Rama i cili drejton edhe Bashkinë e Tiranës, ka marrë 40.6 për qind të votave. I treti në renditje me 6.5 për qind të votave, është shkrimtari Ismail Kadare i cili vitin që sapo u mbyll, fitoi dhe çmimin e rëndësishëm ndërkombëtar, Princi i Asturias. Në vendin e katër mes më të votuarve, është zv/kryeministri Ilir Meta i cili drejton edhe Lëvizjen Socialiste për Integrim. Sondazhi më i ri i NOA i cili do të vazhdojë disa ditë, është për vitin që sapo ka nisur: Për ju, viti 2010, mendoni se do të jetë Më i mirë se 2009 Më i keq se 2009 Pa asnjë ndryshim Ju ftojmë të votoni në këtë sondazh që gjendet në krye të faqes së NOA. e.b/NOA Votat: Sali Berisha 49.8 për qind Edi Rama 40.6 për qind Ismail Kadare 6.5 për qind Ilir Meta 3.1 për qind