E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përtej minusit dhe plusit



Jorgo Papandreu, i sapozgjedhur në krye të PASOK-ut pas dorëheqjes vullnetare të ish-kryetarit dhe Kryeministrit në detyrë në atë kohë z. Simitis, humbi zgjedhjet parlamentare të vitit 2004. Megjithëse në kulturën politike greke humbësi dorëhiqet, ai nuk pranoi me arsyetimin se ishte i sapozgjedhur në krye të partisë dhe nuk kishte pasur kohën e nevojshme në dispozicion për të reformuar partinë dhe filloi menjëherë një opozitë të fortë duke kërkuar vazhdimisht zgjedhje të parakohshme dhe duke garantuar partinë e tij se së shpejti do t’u kthente pushtetin.

Në vitin 2007 krejt papritur Kryeministri Karamanlis, pas presioneve të shtuara të opozitës, pas disa akuzave për korrupsion drejtuar disa ministrave të tij e çon Greqinë në zgjedhje të parakohshme dhe i fiton ato. Jorgo Papandreu jep dorëheqjen dhe rikandidon përsëri për kreun e partisë, me gjithë kundërshtimet e forta të disa prej figurave kryesore të partisë dhe siç ndodh rëndom, fiton. E justifikoi shkeljen e traditës me arsyetimin se ia kishte kërkuar me insistim kandidimin baza e partisë.

Ky veprim nuk është shumë i moralshëm në politikë, por në rastin e z. Rama do të ishte një lloj justifikimi më i pranueshëm sesa arsyetimi banal i vjedhjes së votës për të cilën kishte premtuar “se s’do të kishte burrë mbi dhe që do cenonte votën e shqiptarëve”.

Megjithatë, është e drejta e tij të mos mbajë fjalën e dhënë dhe të çburrërohet në sytë e shqiptarëve, duke u rikthyer në krye të PS-së që e ka për zemër, por nuk ka asnjë të drejtë të detyrojë shqiptarët të vuajnë pasojat e veprimeve të tij siç është lëvizja e lirë.

Por sot, çdo shqiptar, i majtë apo i djathtë, sidomos ata që jetojnë jashtë atdheut, duhet të ndihet krenar që Shqipëria për herë të parë zhvillon zgjedhje model, ku qytetarët votuan me një kulturë të lartë qytetare pa asnjë incident (të mos harrojmë që edhe vende me demokraci të zhvilluar kanë pasur incidente gjatë zgjedhjeve).

Nuk ka asnjë shans real që koalicioni në të cilin bashkohen partia e parë më e madhe me partinë e tretë më të madhe në vend të humbë. Të besosh një gjë të tillë do të thotë të jetosh jashtë realitetit dhe të tillë nuk është se i mungojnë Shqipërisë, por megjithëse nuk janë shumë, mjaftojnë për të rizgjedhur në krye të partisë z. Rama.

Por çfarë ka bërë Edi Rama me “politiken e tij të re”? Me politikën e tij përtej të majtës e të djathtës (përtej minusit dhe përtej plusit, d.m.th. zero) ka arritur me shumë sukses të përçajë të majtën, duke filluar kohë përpara me grupin armiqësor të deputetëve “nanoistë”, vazhdoi me poliagjentin Nano, më vonë zhduku “xhaketat e vjetra” brenda partisë, duke i zëvendësuar me xhaketa të reja fringo, që nuk i njihnin as prindërit e tyre, jo më elektorati i majtë, dhe tani zbuloi grupin e fundit armiqësor, të cilin po e diskrediton dhe në fund ka vendosur ta lërë vendin pa opozitë, duke i sjellë një dëm të pallogaritshëm kulturës demokratike që me kaq mund e kemi ndërtuar vit pas viti këta 18 vjet.

Ai po përpiqet të bindë socialistët se nuk është ai me paaftësinë e vet që i çoi socialistët në humbje, por është Berisha që së bashku me tradhtarët brenda familjes së tij politike, ka vjedhur votat e shqiptarëve, sepse është e pamundur që ky popull mos ta votojë Edi Ramën, i cili është i vetmi që mund të bëjë Shqipërinë!! Dhe kësaj radhe po u tregon një përrallë të re socialistëve, ku në të ardhmen do të mundë jo vetëm Berishën, që s’arriti ta mundte këto zgjedhje, por do të mundë triadën Berisha-Meta-Nano.

Ka shumë mundësi që pasi bindi socialistët që ta rivotojnë në krye të PS-në të ketë bindur edhe veten që është Jul Cezari. Është fatkeqësi jo vetëm për socialistët, por për gjithë shqiptarët, kur një lider nuk kupton momentin, kur ka mbaruar politikisht. Berishës do t’i duhet një analizë e thellë në PD duke korrigjuar disa të meta në organizimin e partisë në disa rrethe të vendit ku strukturat e partisë nuk kanë qenë në nivelin e duhur dhe rezultati ka qenë i dobët dhe e djathta i ka të gjitha mundësitë që të bëjë realitet premtimin e Berishës që PD edhe në 2021 të jetë parti në pushtet. Ndërkohë z. Rama do ketë gjithë kohën e nevojshme për të zbuluar armiq të rinj brenda të majtës.

Është fatkeqësi e madhe për individin, për klasën politike, si dhe për një popull të tërë kur fajin nuk e kërkon brenda vetes, por jashtë tij.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›