E Diel, 1 Nëntor 2026

Përurohet Muzeu Arkeologjik në Lezhë, 268 objekte të ekspozuara

TIRANË, 18 maj/ATSH/ Në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve në qytetin e Lezhës u përurua sot muzeu arkeologjik, një projekt i mbështetur nga Bashkimi Evropian.

Ky muze është vendosur pranë kalasë së qytetit dhe në ambientet e tij janë të ekspozuara objekte që nga prehistoria, deri në mesjetë, duke sjellë një pasqyrë të plotë të historisë së zonës.

Në ceremoninë e përurimit ishte i pranishëm ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, drejtoresha e përgjithshme e SASPAK Eridana Çano, përfaqësuesja e Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri Entela Sulka, kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, etj.

Në fjalën e tij Gonxhja tha se “çelja e këtij muzeu na bën që të jemi me vërtetë shumë krenarë për veten tonë, por nga ana tjetër edhe ata që vijnë gjithmonë e më shumë të njohin identitetin tonë që është thellësisht europian në Mesdhe”.

“Përmes bashkëpunimit mes Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Institutit të Arkeologjisë dhe Bashkisë Lezhë, disa objekte arkeologjike me rëndësi të veçantë historike dhe shkencore rikthehen për ekspozim në territorin ku janë zbuluar, duke forcuar lidhjen mes trashëgimisë kulturore dhe identitetit lokal”, theksoi Gonxhja.

I financuar nga Programi i Bashkëpunimit Ndërkufitar Shqipëri–Kosovë në kuadër të IPA II të Bashkimit Evropian, ky projekt dëshmon se kultura dhe trashëgimia janë ura bashkëpunimi që lidhin komunitetet dhe historinë tonë të përbashkët.

“Muzeu Arkeologjik i Lezhës dhe Oda e Zejtarisë në Gjakovë vijnë si dy modele konkrete të këtij vizioni, duke kontribuar në zhvillimin kulturor, turistik dhe ekonomik të rajonit, si dhe në krijimin e një hapësire të re kujtese, identiteti dhe krenarie për qytetin e Lezhës”, u shpreh Gonxhja.

Kryetari i bashkisë Lezhës, Pjerin Ndreu theksoi se “ky muze i shtohet mozaikut të pasur të thesareve kulturore dhe atraksioneve turistike që ofron Lezha, duke i dhënë qytetit një tjetër pikë të rëndësishme referimi për vizitorët vendas dhe të huaj”.

Përgjegjësi i trashëgimisë kulturore në Lezhë, Paulin Zefi tha se “këtu janë gjithsej 268 objekte. Pjesa më e madhe e tyre i përkasin atyre që janë zbuluar nga arkeologu Frano Prendi gjatë viteve ’60-’70. Gjithashtu pjesë e muzeut janë edhe gjetjet arkeologjike gjatë ekspeditave gjermane si dhe gjetje rastësore të ndryshme”.

E veçanta e këtij muzeu është eksperienca inovative që ai ofron, përmes mundësisë për të përjetuar një vizitë virtuale në Odën e Zejtarisë në Gjakovë, duke lidhur trashëgiminë kulturore përtej kufijve dhe duke sjellë historinë më pranë turistëve e vizitorëve.

Muzeu Arkeologjik i Lezhës është financuar nga Bashkimi Evropian përmes projektit ndërkufitar Shqipëri-Kosovë dhe është muzeu i dytë i hapur në qytet pas atij Etnografik, i ngritur disa vite më parë.

I financuar nga Programi i Bashkëpunimit Ndërkufitar Shqipëri–Kosovë në kuadër të IPA II të Bashkimit Evropian, ky projekt dëshmon se kultura dhe trashëgimia janë ura bashkëpunimi që lidhin komunitetet dhe historinë tonë të përbashkët. Muzeu Arkeologjik i Lezhës dhe Oda e Zejtarisë në Gjakovë vijnë si dy modele konkrete të këtij vizioni, duke kontribuar në zhvillimin kulturor, turistik dhe ekonomik të rajonit, si dhe në krijimin e një hapësire të re kujtese, identiteti dhe krenarie për qytetin e Lezhës.

/k.s/r.e/a.f/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›