Përurohet fusha e re në shkollën “At Zef Pllumi”, Duka: Misioni ynë i përbashkët, edukimi i fëmijëve

TIRANË, 5 prill /ATSH/ Është inauguruar fusha e re e futbollit e akademisë “Etien Football Academy” në shkollën “At Zef Pllumi” në Tiranë.
Ky është një investim cilësor i akademisë, ku ambienti është rikonstruktuar plotësisht dhe është bërë funksional e modern për fëmijët e akademisë, të shkollës dhe të zonës përreth.
Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Drejtoresha e shkollës “At Zef Pllumi”, Anila Barxho, Drejtuesja e akademisë “Etien Football Academy”, Gelda Lilo, prindër, përfaqësues të medias, etj.
Në fjalën e tij, Duka vlerësoi këtë investim të rëndësishëm në një nga zonat më të populluara të Tiranës.
Ai theksoi me krenari faktin që akademia drejtohet nga një grua, duke nënvizuar se kontributi i grave në sport është shumë i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm.
Duka përsëriti sërish thirrjen për të gjithë të interesuarit që duan të bashkëpunojnë me Federatën e Futbollit nëpërmjet projektit “100 fushat”, për të ndërtuar sa më shumë fusha cilësore për fëmijët në të gjithë vendin.
“Padyshim që misioni ynë është i njëjtë, i përbashkët dhe objektivi ynë është edukimi i fëmijëve. Ne tentojmë që ta bëjmë këtë nëpërmjet futbollit dhe ju në të gjithë komponentët e edukimit të fëmijëve”, tha ai.
“Në objektivat e punës sonë është përmirësimi i infrastrukturës dhe kjo është një dëshmi e këtij përmirësimi. Kjo fushë do t’u shërbejë fëmijëve që janë këtu, por jo vetëm kjo, por edhe fushat e tjera ku ata stërviten dhe luajnë, do t’u shërbejnë edhe fëmijëve të shkollës. Padyshim që kemi akoma më shumë nevojë, sidomos në Tiranë, për shumë e më shumë fusha sportive, edhe për arsye të dendësisë së popullsisë që ka Tirana, por edhe për arsye të mungesës së sipërfaqeve”, shtoi Duka.
“Dua të përmend edhe një fakt tjetër që është vërtet në prioritetet e Federatës së Futbollit: që të kemi sa më shumë vajza dhe gra në futboll. Jo vetëm në fushë, duke luajtur dhe gjykuar, por edhe si zonja sot që drejton këtë akademi shumë të suksesshme në Tiranë, një shembull shumë i mirë suksesi”, vijoi ai.
Drejtuesja e “Etien Football Academy”, Gelda Lilo, u shpreh se është një emocion i madh inaugurimi i fushës së re. Ajo falënderoi FSHF-në dhe Presidentin Duka për mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin e futbollit në Shqipëri.
Ndërsa, drejtoresha e shkollës “At Zef Pllumi”, Anila Barxho, theksoi se fusha e re do të jetë e vlefshme për të gjithë fëmijët e zonës dhe falënderoi Presidentin Duka për gjithçka ka bërë për zhvillimin e futbollit në vendin tonë. /j.p/