MIANMAR – Numri i të vdekurve nga tërmeti rritet në 3 354

MIANMAR, 5 prill /ATSH/- Numri i të vdekurve nga tërmeti shkatërrues i Mianmarit është rritur në 3 354, me 4 850 të plagosur dhe 220 ende të zhdukur, sipas raporteve të medieve lokale.
Shefi i ndihmës i Kombeve të Bashkuara, duke vizituar vendin e goditur nga fatkeqësia, vlerësoi grupet humanitare dhe të komunitetit për përpjekjet e tyre në përgjigjen e vazhdueshme të ndihmës.
Ndërkohë, gjenerali i lartë Min Aung Hlaing, udhëheqësi i qeverisë ushtarake të Mianmarit, u kthye në Naypyitaw pasi mori pjesë në një samit në Bangkok me liderë nga Azia Jugore dhe Juglindore, duke përfshirë Tajlandën, Nepalin, Butanin, Sri Lankën dhe Indinë.
Gjatë takimit të tij me kryeministrin indian Narendra Modi, Hlaing ripohoi angazhimin e juntës për të zhvilluar zgjedhje “të lira dhe të ndershme” në dhjetor.
Modi bëri thirrje që një armëpushim pas tërmetit në luftën civile të Mianmarit të bëhej i përhershëm dhe tha se zgjedhjet duhej të ishin “përfshirëse dhe të besueshme”, tha sot një zëdhënës i Marrëdhënieve të Jashtme Indiane.
Që nga përmbysja e qeverisë së zgjedhur civile të nobelistes, Aung San Suu Kyi në vitin 2021, ushtria ka luftuar për të drejtuar Mianmarin, duke e lënë ekonominë dhe shërbimet bazë, përfshirë kujdesin shëndetësor, në rrënim, një situatë e përkeqësuar nga tërmeti i 28 marsit.
“Lufta civile që pasoi grushtin e shtetit ka zhvendosur më shumë se 3 milionë njerëz, me pasiguri ushqimore të përhapur dhe më shumë se një e treta e popullsisë në nevojë për ndihmë humanitare”, tha OKB.
Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut tha dje se junta po kufizonte furnizimet me ndihma në zonat e goditura nga tërmeti ku komunitetet nuk e mbështesin sundimin e saj.
Zyra e OKB-së tha se po hetonte 53 sulme të raportuara nga junta kundër kundërshtarëve, përfshirë sulmet ajrore, nga të cilat 16 ishin pas shpalljes së armëpushimit të mërkurën. //a.i/