Përurohet rruga pedonale Murat Toptan
Përurohet rruga pedonale Murat Toptani në kryeqytet. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha dhe ambasadori i Bashkimit Europian, Etore Sekui, prenë dje pasdite shiritin e përurimit të kësaj rruge, ndërtimi i së cilës u bë nga fondet e BE-së dhe deklaruan se projekte të këtyre standardeve do të ketë dhe në vijim, jo vetëm në Tiranë, por edhe në Shqipëri. Unë ju siguroj se ky është vetëm fillimi i një bashkëpunimi me ju. Rreth 100 metra nga këtu po finalizohen punimet në sheshin Skënderbej, pas disa ditësh do të hapim projektin për zgjerimin e arteries nga Stacioni i Trenit deri në Paskuqan, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Ambasadori i BE-së, Etore Sekui, në fjalën e tij theksoi se më mirë se kjo rrugë askush nuk mund të justifikonte investimet e BE-së në Shqipëri. Jemi të inkurajuar nga puna që është bërë për këtë rrugë, që janë dashur vetëm 18 muaj. Kjo që shikojmë këtu është provë e kombinimit të mirë të përpjekjeve, tha Sekui.