Xhelatët e Çausheskut ngrenë një fabrikë diplomash gjigante me 300 mijë studentë
Revista gjermane Spiegel, në edicionin e saj online raporton për një skandal në arsimin e Rumanisë, por jo vetëm aty. Gazeta thotë se njerëzit e diktatorit Nikolae Çaushesku kanë ngritur një universitet privat gjigant, që lëshon diploma pa kriter për studentë në Rumani, por ka degë edhe në SHBA, Kanada e madje edhe në Gjermani. Para dy vitesh, ky universitet me emrin Spiru Haret deklaronte se kishte 300 mijë studentë.
Historia që rrëfen Spiegel është interesante. Ajo ka marrë në intervistë një nga intelektualët e njohur në Rumani, që persekutohej nga regjimi i Çausheskut. Pikërisht personi që e persekutonte, tani ka ngritur këtë universitet. Ai quhet Aurelian Bondrea dhe ka qenë personi që i pati dhënë gruas së Çausheskut titullin Doktor në kimi, kur ajo mezi kishte bërë 4 klasë shkollë. Tani po bën të njëjtën gjë, duke shpërndarë prej shumë vitesh diploma pa kriter, për studentë që nuk i takojnë fare pedagogët e tyre. Akademikët rumunë thonë se ai po diskretiton të gjithë sistemin arsimor në Rumani. Por ajo që i çudit të gjithë është se ku janë gjetur paratë për themelimin, si është ngritur ky rrjet dhe mbi të gjitha, përse nuk e rrëzon askush?