Përurohet ura në Rogovë të Hasit

PRISHTINË, 24 prill/ATSH/ Në Rogovë të Hasit sot është përuruar ura e cila lidh trevën e Hasit me rrugën Gjakovë-Prizren. E ndërtimin e kësaj ure e konsideroi lajm të mirë për gjithë hasianët edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti i cili tha se kjo urë kaq e vonuar më në fund u realizua.
Kurti tha se brenda një viti janë kryer të gjitha punët për përurimin e urës sot.
“Në fund të vitit 2023 është nënshkruar dhe në prill 2024 kanë filluar punimet, falënderojmë operatorin ekonomik që ka përfunduar gjithçka brenda një viti dhe ja ku jemi tash në prill të vitit 2025 po e lëshojmë në përdorim këtë urë e cila e ka gjerësinë 10 metra prej tyre 6 metra e gjysmë është për automjete. Në një farë mënyre 2/3 janë për automjete e 1/3 për këmbësorë. gjatësia e gjithmbarshme është rreth 134 metra dhe besoj që kjo ura kaq shumë e vonuar më në fund u realizua dhe është lajm i mirë edhe për juve dhe për të gjithë ata të cilët do të shkojnë e vijnë në Rogovë”, tha ai.
Ministri në detyrë të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu tha se në këtë urë janë kryer punime profesional.
Ai pret që komuna e Gjakovës ta mbaj zotimin e dhënë që rruga të zgjerohet.Zëvendësministri në detyrë i MPHI-së, Hysen Durmishi tha se tashmë kjo urë e cila ka qenë e ngushtë tani është e ndërtuar sipas kritereve regjionale.
Rindërtimit të kësaj ure që lidh Rogovën me pjesë tjera të Kosovës i janë gëzuar shumë edhe banorët e kësaj ane.
Gëzim Thaçi tha se kjo urë është dashur të bëhej edhe më herët, por edhe tani që përfundoi do iu shërbej 60 mijë banorëve të kësaj ane.
Të rëndësishme urën e re për gjithë trevën e sheh edhe Baki Gashi i cili ka ardhur nga diaspora. /KosovaPress/