E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sorensen në Prishtinë, bisedon me Bislimin për marrëveshjet e normalizimit me Serbinë

Zbatimi i marrëveshjeve të ndryshme të nivelit teknik dhe rëndësia e nisjes së diskutimeve për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit, si dhe shtojcës së zbatimit të saj në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ishin temat, që sipas një njoftimi për shtyp në faqen e qeverisë së Kosovës, u diskutuan nga i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Peter Sorensen, i cili zhvilloi të enjten një vizitë të papritur në Prishtinë, dhe kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi.

Vizitën në Prishtinë, Sorensen e cilësoi vizitë pune, ndërsa bëri me dije se pas kryeqytetit të Kosovës do të shkonte në atë të Serbisë.

“Sot jam në Prishtinë si pjesë e ushtrimit të mandatit. Ekipi im dhe unë jemi duke zhvilluar vizita në nivel pune – kjo është një pjesë e zakonshme e misionit tonë, dhe do të shihni edhe vizita të tjera të ngjashme në të ardhmen. Jam shumë i lumtur që jam këtu. Nga këtu do të vazhdoj për në Beograd, dhe më pas do të kthehem në Bruksel. Kaq për tani”, tha Sorensen.

Vizita e të dërguarit europian u mbajt në një kohë që vetë situata politike në Kosovë ishte e ndërlikuar, sepse ende nuk ishte realizuar konstituimi i legjislaturës së re të Kuvendit, për shkak të mosdakordësisë për emrin e kryeparlamentarit të ri dhe nuk ishte krijuar qeveria e re.

Paraditen e së premtes, Kuvendi do të mblidhet sërish për votimin për kreun e tij, pasi Albulena Haxhiu, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila doli forcë e parë në zgjedhjet e nëntorit të shkurtit, nuk ka arritur të marrë 61 votat e nevojshme, pavarësisht mbajtjes së tre raundeve votimi për emrin e saj.

Pavarësisht se deputetët janë betuar, konstituimi i Kuvendit të Kosovës nuk quhet i përfunduar pa zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›