E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përvjetorë të përgjakshëm dhe vrasës në liri

Share

Pse autoritetet e Kosovës nuk kërkojnë nga Gjermania rifillimin e hetimeve për atentatin kundër vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës më 17 janar 1982? 30 vjetori i sulmit vdekjeprurës kundër tyre është ndoshta momenti i fundit. Sot po ashtu bëhen 10 vjet nga vrasja e deputetit të Kuvendit të Kosovës, Smajl Hajdaraj. As vrasësit e tij nuk janë arrestuar ende. Një shoqëri që hesht përballë krimit sigurisht nuk duhet të pres ardhmëri të mirë

Enver Robelli

18 janar 1982

Rreth radios së re, një markë e njohur holandeze, që sapo ishte sjellë nga Zvicra, bashkë me disa kaseta me këngë të ndaluara, atë natë dimri ishin mbledhur nja njëzet burra. Për shkak të shqisës së dobësuar të dëgjimit më të moshuarit rrinin ulur fare pranë radios. Në këtë ambient të pranishmit morën lajmin se më 17 janar afër Stuttgartit ishin qëlluar për vdekje Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Këtë të fundit, Kadri Zekën, shumica e burrave, sidomos ata më të rinjtë, e njihnin personalisht, disa kishin ndjekur me të mësimet e para në shkollën tetëvjeçare në fshatin D. Për Jusuf Gërvallën kishin dëgjuar.

25 janar 1982

Dikush nga familja në Frankfurt tregoi, me njëqind aludime, se revista Der Spiegel kishte shkruar për atentatin. Titulli: Gjithçka duket si ekzekutim. Dhe, në fillim të tekstit, që sot mund të nxirret nga arkivi, ky përshkrim: Vetura BMW 316, me ngjyrë të gjelbër, doli prej garazhit nga prapa. Shoferi nuk deshi ta kthente veturën në borë dhe eci prapa nja 40 metra deri te një udhëkryq. Kur vetura për pak u ndal nën një llambë të ndriçimit rrugor, prej një kantieri doli një burrë në anën e djathtë dhe nga një largësi prej rreth tri metrash shtiu në brendi të veturës. Po ashtu një burrë tjetër hapi zjarr, pastaj qëndroi krahas automjetit, që përmes xhamave të thyer anësor të bindet mbi efektin e të shtënave. Fqinjët e trembur nga zhurma e plumbave i panë dy burrat duke u arratisur. Ishte e frikshme ajo që panë banorët e rrugës Habichthöhe në komunën Untergruppenbach afër Heilbronn-it, natën nga e diela në të hënën, para një jave: vetura me katër cilindra punonte ende, shoferi ende e kishte këmbën në pedalin e gazit. Pastaj ai me gjasë kishte lëshuar friksionin dhe kishte vdekur. Vetura eci vetë në gjysmëhark, mor anën majtas dhe u përplas kundër derës së mbyllur të një garazhi. Rrotat u futën thellë në borë, motori u fik, qetësia ra. Në vazhdim të tekstit Der Spiegel i quan vrasjet në Untergruppenbach masakër. Revista supozonte se pas atentatit qëndronin shërbimet sekrete jugosllave, përmendte në kontekst të gjerë të krimit – edhe një shqiptar nga F., i cili së pari kishte punuar në Konsullatën e përgjithshme të Jugosllavisë në Hamburg, pastaj në Frankfurt. Me kalimin e viteve do të përmenden edhe emra të tjerë të zyrtarëve të SDB (Shërbimi i Sigurimit Shtetëror të Jugosllavisë), por edhe të shqiptarëve.

17 janar 2012

Sot me siguri të thirrur e të pathirrur do ta kujtojnë Jusuf Gërvallën, vëllanë e tij Bardhoshin dhe Kadri Zekën. Do të thuhen fjalë të mençura, por edhe broçkulla që jemi mësuar ti dëgjojmë, sepse janë bërë rutinë e mërzitshme në çdo përvjetor. Do të flitet e gënjehet se si të gjitha idealet e tyre janë realizuar, duke shtrembëruar realitetin e duke vizatuar parajsa të paqena. Do të flasin për veprën e Jusuf Gërvallës edhe ata që nuk kanë lexuar një rresht nga vepra e tij. Sa për sy e faqe vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka ndoshta do të përkujtohen edhe nga ata pushtetarë që lirinë e shndërruan në biznes, pushtetin në mundësi pasurimi, fuqinë shtetërore në rast për të luftuar e denoncuar zërat kritikë.

Edhe sivjet zor se do të flitet për një temë, e cila heshtet prej vitesh: kush qëndron prapa vrasjeve në Untergruppenbach, kush janë urdhërdhënësit e kush ekzekutorët, çfarë roli luante shërbimi sekret jugosllav dhe çfarë funksioni mund të kenë pasur shqiptarët? U takon edhe shokëve të Jusuf Gërvallës (nëse ka pasur ndonjë shok të sinqertë, që sot mund të ketë ndikim në politikë në Kosovë) të angazhohen, të kërkojnë ndriçimin e rrethanave të vrasjes. I takon, pse jo, edhe autoriteteve të Kosovës të kërkojnë nga shteti gjerman rifillimin e hetimeve, që kjo dosje e krimit të mos mbyllet e harrohet.

Mes viteve 1970 dhe 1989 në Gjermani janë vrarë 22 kroatë, kryesisht kundërshtarë të regjimit të Titos. Ata që kanë mbijetuar po kërkojnë nga drejtësia gjermane hetime të reja për krimet e kryera. Një kroat përmes avokatit të tij po kërkon që qeveria gjermane postum tia marrë Titos urdhrin më të lartë të shtetit gjerman. Në vitin 2008 një gjykatë në Mynih dënoi me burg të përjetshëm Josip Perkoviqin, i cili mes viteve 1979-1986 kishte qenë përgjegjës për luftimin e emigracionit armiqësor në kuadër të shërbimit sekret të Republikës Socialiste të Kroacisë, e cila ishte pjesë e Jugosllavisë. Perkoviq u gjet fajtor për përgatitjen e vrasjes së Stjepan Durekoviqit në Wolfsratshausen të Bavarisë në vitin 1983. Durekoviq kishte qenë menaxher i kompanisë shtetërore të naftës INA. Pas arratisjes në Gjermani ai ishte kërcënuar se do të publikonte të dhëna për korrupsion brenda elitës komuniste. Josip Perkoviq ndodhet në arrati dhe kërkohet nga policia gjermane. Në vitet 90-të Perkoviq i kishte shërbyer regjimit të Franjo Tugjmanit në disa funksione. I biri i Perkoviqit, Sasha, ka qenë këshilltar për siguri i ish-presidentit Stjepan Mesiq dhe vazhdon të mbajë pozitën e njëjtë nën presidentin aktual Ivo Josipoviq. Në vendimin e saj prej 118 faqeve gjykata e Mynihut jo vetëm që rekonstruoi përgatitjen e atentatit në Wolfsratshausen, por arriti edhe në përfundimin kuptimplotë juridik se derisa Tito ishte gjallë, vetëm ai i merrte vendimet përkatëse (për vrasje). Po ashtu, sipas gjykatës, skuadrat vrastare merrnin pëlqimin drejtpërdrejt nga Titoja dhe zinxhiri komandues kalonte nga pushtetmbajtësi (Tito), nëpër parti deri te shërbimi sekret i Kroacisë socialiste.

16 janar 2012

Në numrin e djeshëm të revistës gjermane Focus një zë prominent angazhohet që Titos dhe diktatorit rumun Nikolai Çaushesku tu merret urdhri më i lartë gjerman. Herta Müller, autore e famshme gjermane e lindur në Rumani, laureate e Nobelit për Letërsi, me vite e survejuar dhe terrorizuar nga shërbimi sekret rumun, mbështet kërkesën e familjeve: Unë i kuptoj shumë mirë këto familje, të cilat kanë humbur bashkëshortin, babanë ose birin e tyre. E përkrah shprehimisht kërkesën e tyre. Anulimi i urdhrit do të ishte një korrigjim i rëndësishëm dhe një shenjë e qartë për dhënien e urdhrit në të ardhmen. Sepse ende ka shumë diktatorë, të cilët do të vizitojnë Gjermaninë. Donika Gërvalla, e bija e Jusuf Gërvallës, po në Focus thotë: Vrasja me porosi e babait tim ka qenë e mundshme nga shkaku se ai, përkundër lutjeve për mbrojtje nga një atentat, nuk mori ndihmë nga autoritetet gjermane. Fakti që përfaqësuesi më i rëndësishëm i këtij sistemi të represionit, torturës dhe vrasjes, gjenerali Tito, mori urdhrin (gjerman, v.j.) është një

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›