Kosova, në qerthullin e sfidës “Energji për zhvillim”
Ngjashëm me Kosovën, energjetika cilësohet si një nga sektorët më strategjikë në gjithë botën. Vendet e ndryshme krijojnë sa më tepër alternativa për furnizim me energji, duke filluar nga vendet e zhvilluara, të cilat bazohen në energji nukleare, mandej vijnë vendet që bazohen në energjinë me gaz, sikur është Evropa, pjesërisht Azia, dhe vendet që bazohen në naftë-Afrika, vendet arabe etj. Në Kosovë, në 12 vjetët e fundit, janë kryer me dhjetëra hulumtime, shpesh edhe për të arsyetuar donacionet, me qëllim të gjetjes së burimeve alternative të energjisë. Këto burime nuk janë gjetur asgjëkund, pasi që nuk ekzistojnë. Shpresa e vetme për vite të tëra ishte ndërtimi i hidrocentralit të Zhurit, por hulumtimi i fundit tregon se ky hidrocentral, me kapacitet 300 MW, duke u bazuar në resurset ujore, mund të funksionojë vetëm 30 ditë në vit, pasi që 11 muaj të tjerë duhet akumuluar uji në diga. Një fakt tjetër dekurajues për hidrocentralin e Zhurit, është kostoja e lartë e ndërtimit, rreth gjysmë miliardi euro dhe kostoja 3-4 herë më e lartë e rrymës së prodhuar, në krahasim me energjinë e prodhuar në termocentrale. Tani shtrohet pyetja: a mund të gjejë Kosova një investitor që do të shpenzojë 500 milionë euro për 30 ditë pune në vit të hidrocentralit? Përgjigja definitive është: Jo. Alternativat e burimeve të rrymës së ripërtëritshme, me diell dhe erë, tani konsiderohen të paarritshme edhe për Gjermaninë, për shembull, e cila pas tërmetit në Fukushima po planifikon t’i mbyllë centralet nukleare dhe t’i kthehet energjisë termike, kuptohet-gjithmonë duke pasur në konsideratë ndikimet mjedisore. Të gjitha këto që u thanë më lart janë fakte të pamohueshme, se alternativa dhe resursi i vetëm i Kosovës mbetet energjia nga linjiti, me kusht të rigorozitetit maksimal ndaj ndikimeve mjedisore. Kundërshtarët e këtij projekti nuk brengosen për lagjet, fshatrat dhe komunat e Kosovës, të cilat në 12 vjetët e shkuara u ballafaquan me tmerrin e quajtur “terr”. Kundërshtarët e këtij projekti, dihet botërisht, brengosen për arsyetimin e donacioneve të tyre, të cilat i marrin gjoja për ta luftuar ngrohjen globale. Ngrohja globale duhet luftuar nga gjigandët botërorë si: India, Rusia, SHBA dhe Kina. Ngrohja globale nuk luftohet me 600 MW rrymë të prodhuar në Kosovë, pasi që pëlqimin për këtë projekt, me ndihmën e miqve tanë në SHBA dhe BE, e kanë dhënë Banka Botërore dhe Komisioni Evropian. Projekti për termocentralin e ri është nisur nga një qeveri tjetër, jo aktualja, dhe do të përfundohet jo nga qeveria e radhës, por nga ajo që do të vijë pas saj. Ne duhet të mësohemi se disa projekte të karakterit nacional dhe afatgjatë, me ndikim në zhvillim, me ndikim në tërheqjen e investimeve, në uljen e papunësisë dhe luftimin e varfërisë, duhet t’i tejkalojnë dallimet tona politike. Dështimi i projektit për termocentralin e ri iu shkon përshtati edhe atyre që dëshirojnë varësinë e Kosovës nga gazsjellësi “Nabucco” dhe gazsjellësi tjetër “Gas Ring”. Përkrahës të këtyre projekteve, nën petkun e shoqërisë civile dhe “brengat mjedisore”, ka edhe në Kosovë. Alternativa energjetike e Kosovës nuk duhet shikuar nëse kemi nevojë ose jo për termocentrale. Kosova nuk ka asnjë lumë të lundrueshëm, nuk ka det, nuk ka naftë as gaz; të vetmin resurs energjetik që e kemi është linjiti, prandaj duhet shfrytëzuar atë në funksion të zhvillimit të vendit. Fokusi i institucioneve dhe i shoqërisë, në përgjithësi, duke përfshirë edhe “kujdestarët patriotikë të mjedisit” në Kosovë, duhet të përqendrohen në aplikimin e të gjitha standardeve mjedisore me rastin e ndërtimit të termocentralit të ri dhe mbylljen sa më të shpejt të termocentralit “Kosova A”, i cili, në fakt, është shkatërrues i mjedisit në Kosovë. Nëse Gjermania, si fuqia botërore ekonomike, i kthehet energjisë me thëngjill, pasi që nuk ka fonde për subvencionimin e energjisë me erë dhe energjisë solare, atëherë për Kosovën, me një buxhet sa një komunë në Gjermani, cila duhet të jetë alternativa për energji? Taksapaguesit kosovarë, në 12 vjetët e fundit, kanë shpenzuar qindra miliona euro për import të energjisë, jo për furnizim stabil, por për ulje të nivelit të reduktimeve. Projektet energjetike nuk duhet t’i marrin në konsideratë vetëm brengat e atyre që jetojnë në kryeqytet dhe nuk kanë reduktime, por edhe të atyre që vetëm 15 kilometra e tutje nga Prishtina, përballen me tmerrin e reduktimeve. Edhe ata janë shtetas të Kosovës, kanë nevojë për drita, për zhvillim, për punësim, dhe çka është më jetike-kanë nevojë për mbijetesë.
...