Përzgjidhen protagonistët e veprës
Ata të gjithë spiunojnë dhe spiunohen. Ruajnë, vëzhgojnë njëri-tjetrin, flasin sipas nevojave, veprojnë sipas skemave... janë të gjithë banorët e një pallati, banorët e shkallës nr. 5. Një drejtor i Ministrisë së Arsimit i martuar me një vajzë të re, mësuese në një shkollë të mesme, një punëtor, një plak, një specialiste në Drejtorinë Arsimore, Fatbardha, e cila nuk do të martohet, por që për shkak të opinionit është e detyruar t‘i japë fund beqarisë, Vali dhe Kristoja, një tjetër çift. Ai punëtor me ide revolucionare, ndjekës i idealeve të partisë, pro emancipimit të gruas, por e shoqja nuk është tjetër veçse një shtëpiake... Janë këta personazhet e komedisë "Banorët e shkallës nr. 5" e cila do t‘i kthehet skenës pas 46 vitesh, që nga koha kur për herë të parë regjisori Mihallaq Luarasi e ngjiti në skenë me aktorët Lazër Filipi e Edi Luarasi në vitin 1963. "Banorët e shkallës nr. 5" e autorit Kin Dushi do të vijë nën regjinë e Sonila Ulqinakut, pedagoge e Fjalës Artistike në Akademinë e Arteve në Tiranë. Jo vetëm veprën, por tashmë regjisorja Sonila Ulqinaku ka në mend edhe aktorët që do të interpretojnë dhe do t‘u japin jetë personazheve. Dejvis Muka, Lisa Kujovska, Klodian Hoxha dhe Xheni Demi u përzgjodhën në audicionin e hapur që u zhvillua në datat 25 dhe 26 gusht, në Teatrin Kombëtar. Ulqinaku e ka përzgjedhur komedinë e Dushit, mes shumë veprave të tjera që flenë në arkivin e Teatrit Kombëtar. Ndoshta sepse kishte ardhur momenti i këtij autori i cili si edhe shumë të brezit të tij nuk u shpëtoi dot pasojave të regjimit komunist të kohës. Regjisorja ka menduar që komedinë të mos e shfaqë vetëm në skenën e Teatrit Kombëtar gjatë ditëve kur do të zhvillohet festivali i teatrove për regjisorët e rinj. Ajo ka menduar ta bëjë publike më shumë se kaq. Sheshet e hapura do të jenë një tjetër skenë për aktorët. Personazhet do të përballen me publikun edhe në sheshin "Nënë Tereza", në kodrat e Liqenit Artificial, para Galerisë Kombëtare të Arteve etj. Është një mënyrë ndryshe e të shfaqurit kjo, e cila nuk është aplikuar shpesh në vendin tonë, të paktën jo në kryeqytet. Skenografia dhe kostumografia për "Banorët e shkallës nr.5" i janë besuar Klajd Kapidanit, ndërsa muzika Fabian Asllanit. Për të aktualizuar më shumë veprën, Sonila Ulqinaku ka vendosur të bëjë disa ndryshime të vogla, por pa i prishur kuptimin. E ka pastruar prej disa detajeve të cilat asaj i tingëllonin false. E duke qenë se flitet për vëzhgime, Ulqinaku i ka realizuar ndryshimet e veprës së Dushit duke u bazuar në romanin "1984" të shkrimtarit anglez, George Orwell-it, një vepër e shkruar pas Luftës së Dytë, e cila vë në shënjestër diktaturat, ku fuqitë totalitare shfrytëzojnë gjithçka për të mbajtur kontroll total mbi shoqërinë. Përgjimi është në qendër të të dyja veprave, dikush më lart se të tjerët di gjithçka për këdo, vendos për këdo, ka në dorë fatin e të gjithëve. Kështu ndodh edhe me këta banorë. Ata janë të rrethuar. Ata jetonin në kohën kur fati i tyre vendosej nga një fjalë, nga një veprim, nga një shkujdesje e çastit, apo nga një kryeneçësi shpeshherë me të drejtë, por e pavend për kohën. Ata vuanin të njëjtin fat si edhe vetë krijuesi i tyre, Kin Dushi. Ai lindi në Shirokë të Shkodrës më 27 maj 1922. Në moshën 10-vjeçare mbetet jetim dhe e dërgojnë në shtëpinë e fëmijës në Tiranë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ai doli në male ku edhe përforcon bindjet e tij komuniste, prej të cilave nuk do të hiqte dorë deri në vdekje, edhe pas vuajtjeve nëpër burgje e kampe. Në kujtimet e tij, At Zef Pllumi, bashkëvuajtës me të cilin ishte edhe Kin Dushi në Ballsh, sjell një episod me shkrimtarin. At Zefi e pyet: "Kin, sot, mbas sa vjetëve burgu, si të duket komunizmi?". Dhe ai përgjigjet: "Pater, të nderoj shumë se je përfaqësues i kulturës oksidentale. Kisha katolike e krijoi atë, krijoi kryeveprat e artit në arkitekturë, pikturë, skulpturë e muzikë, po thuej edhe në letërsi. Megjithkta ajo bani shumë pak për zhvillimin ose barazimin e shoqnisë njerzore, e cila mbeti e ndame ndër klasat e vjetra - mbeti pra e ndame në patricë, plebej e skllavë. Tashti ajo asht e ndame në aristokratë, borgjezë, punëtorë e fshatarë. Mendoj se vetëm komunizmi do t‘i rrafshojë këto klasa e do të krijojë kulturën e re botnore. Ky asht besimi im". Kin Dushi, boton romanin e tij të parë "Në gojë të ujkut" në vitin 1947. Ai është një ditar mbi ditët e qëndrimit në kampin e Prishtinës. Në vitet 1949-‘52, Kin Dushi largohet në Bashkimin Sovjetik për të studiuar Letërsi. Pas kthimit merr pjesë në themelimin e gazetës "Zëri i Popullit", në të cilën punon edhe si gazetar për zonën e Myzeqesë. Pikërisht prej kësaj zone ai gjen frymëzim dhe materiale për të shkruar dy vëllimet e ardhshme "Udha e Velanit" dhe "Kronikë e vendit tim". Më pas krijon "Banorët e shkallës nr. 5" dhe romanin "Autobiografia". Vepra e fundit që do të shkruante para se të burgosej më 1967-n, ishte "Një emër mes yjeve". "Siç më tregonte, fatkeqësia i kishte ndodhë me romanin e tretë, "Në qiell shkëlqen vetëm një yll" (nuk jam i sigurt për këtë titull) që u ndalue e nuk u vu në qarkullim, sepse ishte kritikue për tipare revizioniste", shkruan At Zef Pllumi. Dhe në fakt, ai ishte një nga arsyet e dënimit të tij. Kin Dushi u dënua me tetë vjet burg, të cilat i kreu në Burrel. Në vitin 1975 doli nga burgu, por nuk iu rikthye krijimtarisë, por nisi punën në ndërtim.
Dhjetë vjet më vonë, më 1985-n, Presidenti e asaj kohe, Ramiz Alia, i njeh kontributin në Luftën Nacionalçlirimtare, duke i akorduar vjetërsinë e viteve të luftës. Më 1988-n, i rikthehet letërsisë. Ai nis të shkruajë "Njeriu me proteza". Por e ndërpret punën deri në vitin 1992, për shkak të problemeve që kishte me shikimin, probleme të cilat i ishin shkaktuar nga shpërthimi i një bombe gjatë luftës. I rikthehet romanit po atë vit, me ndihmën e mbesës së tij së cilës i dikton romanin. Kishte humbur plotësisht shikimin. Ndërron jetë në vitin 1994, duke lënë të papërfunduar "Njeriu me proteza". At Zef Pllumi vijon duke e kujtuar: "Kishte edhe nji karakter të vendosun e nji ndershmëni njerzore. Ishte nji ndër shkrimtarët e parë të epokës komuniste që në letërsinë tonë thirrej "realizmi socialist". Sot, kur të gjithë shkrimtarët e realizmit socialist vetquhen "disidentë", më vjen keq që askuj nuk i shkon ndërmend se Kin Dushi, për romanin e vet, kishte marrë 10 vjet burg në nji kohë që kolegët e tij shkrimtarë merrshin çmime dhe lavde, atëherë edhe sot". Kin Dushi, do të vijë edhe një herë me të vetmen vepër teatrale që shkroi i sjellë në vëmendje prej një regjisoreje të re që i shkundi pluhurin e harresës. Publiku do të ketë mundësi të njihet me një pjesë të tij. Ndoshta sepse ka ardhur koha e Kin Dushit.