E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pesë harta të rralla, dhuratë e koleksionistit Gjergj Marena për Shkodrën

Koleksionisti shkodran me banim në Modena të Italisë, Gjergj Marena, i dhuroi Muzeut Historik të qytetit 5 harta të rralla, që i përkasin periudhave nga antikiteti i hershëm deri në shekullin XIX.

Marena tregon se si këto harta i kishin rënë në dorë gjatë viteve të kërkimeve të tij, duke theksuar ndjesinë e përgjegjësisë për t’i kthyer në atdhe.

“…duke qenë i interesuar, unë shkoj dhe punoj pa hak pune, por me kushtin që çfarë të gjej për Shqipërinë t’i marr unë”, tha kolesionisti dhe dhuruesi i hartave, Gjergj Marena.  

“Është një vlerë e shtuar muzeor. Hartat janë të rralla, fillojnë që nga antikiteti i hershëm deri në shekullin XIX”, tha Majlinda Laçaj, përgjegjëse e Muzeut Historik të Shkodrës.

E pranishme në këtë ceremoni ishte edhe zëvendëskryetarja e Bashkisë Shkodër, Teuta Qyteza, e cila përgëzoi aktin fisnik dhe e cilësoi një shembull frymëzues për qytetarët e tjerë.

“Sjellja e hartave nuk është thjesht materiale për një pavion të ri që po i shtohet muzeut të Bashkisë së Shkodrës. Emri juaj do të jetë patjetër një nga kontribuuesit e këtij muzeu pasi nuk na keni sjellë thjeshtë pesë harta, por histori jetësore, të materializuar, të dokumentuar për të cilën, ne sot ndjehemi më të pasur”, tha Teuta Qyteza, Zëvendëskryetare, Bashkia Shkodër.

Pas nënshkrimit të aktit të dhurimit, Gjergj Marena u nderua me një certifikatë mirënjohjeje nga Muzeu Historik, në shenjë falënderimi për kontributin e çmuar në pasurimin e trashëgimisë kulturore të Shkodrës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›