BSH mban të pandryshuar normën bazë të interesit në 2.5%, parashikon rritje ekonomike dhe rikthim të inflacionit në objektiv

Në mbledhjen e të mërkurës, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë (BSH) miratoi raportin e politikës monetare, duke konfirmuar se ekonomia shqiptare po shënon rritje dhe se parametrat makroekonomikë janë përmirësuar. Si rrjedhojë, BSH vendosi të mos ndryshojë normën bazë të interesit, duke e mbajtur atë në 2.5%.
Guvernatori i BSH-së, Gent Sejko, në fjalën e tij, shpjegoi se qëndrimi aktual i politikës monetare është i duhuri për të ruajtur stabilitetin e çmimeve dhe për të mbështetur zgjerimin ekonomik. Sipas tij, “inflacioni ka shënuar një rritje të lehtë në tremujorin e dytë, duke arritur në 2.3%, i nxitur kryesisht nga rritja e çmimeve të ushqimeve dhe qirave”.
Megjithatë, ky nivel mbetet ende nën objektivin e BSH-së prej 3%.
Rritje ekonomike dhe kreditim
Të dhënat e fundit tregojnë se aktiviteti ekonomik u rrit me 3.4% në tremujorin e parë, mbështetur nga zgjerimi i konsumit, investimeve dhe eksportit të shërbimeve. Ky profil rritjeje ka nxitur veçanërisht sektorët e ndërtimit dhe shërbimeve.
Një faktor tjetër pozitiv është rritja e kreditimit për sektorin privat, që shënoi një ritëm prej 15.4% në tremujorin e dytë. Ky kreditim ka shkuar kryesisht për investime biznesi dhe blerje banesash nga familjet.
Sipas BSH-së, ky trend pasqyron kushtet e favorshme të financimit dhe besimin e lartë të aktorëve ekonomikë.
Perspektiva dhe rreziqet
Parashikimet e BSH-së mbeten pozitive. Pritet që ekonomia shqiptare të vazhdojë të rritet me ritme solide dhe se inflacioni do të kthehet në objektivin 3% gjatë gjysmës së parë të vitit 2026.
Megjithatë, Sejko theksoi se “rreziqet nuk mungojnë”. Rritja e tensioneve gjeopolitike dhe barrierave tregtare në tregjet e huaja mund të kenë ndikim negativ në ekonominë shqiptare. Për këtë arsye, vendimet e ardhshme të BSH-së do të varen nga monitorimi i vazhdueshëm i zhvillimeve ekonomike, veçanërisht i presioneve inflacioniste.
/rtsh.al/