Pesë idetë që nuk patën sukses në 2011-n
Sa shumë ngjarje kanë ndodhur në vitin 2011. Përmbledhja me ngjarjet e këtij viti me siguri do të jetë e gjatë dhe interesante. Në këtë artikull nuk do të merrem me historitë lajm më kryesore të këtij viti, por do të fokusohem në pesë idetë që nuk patën sukses këtë vit.
E para: Toleranca ndaj pabarazisë. Pabarazia ekonomike dhe padrejtësia shoqërore kanë ekzistuar gjithmonë dhe nuk pritet të shkojnë drejt zhdukjes për një kohë të gjatë. Por në 2011-ën, ideja se ato janë të pashmangshme dhe duhet të pranohen, u kritikua mjaft. Kriza ekonomike në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara nxori në pah diçka që ne tashmë e dinim, por që nuk kishte fituar vëmendjen politike që pati këtë vit: më pak (njerëz) kanë më shumë, dhe më shumë kanë shumë pak. Nuk ka asgjë të re në këtë, por tani, statistikat dhe realiteti i pabarazisë ekonomike janë në mendjet e të gjithëve. Dhe, kur risjellim në mendje vdekjen aq brutale të Mohamed Bouazizi, shitësit të ri të frutave që i vuri zjarrin vetes në një qytet të vogël në Tunizi, zemërimi ynë nuk është më vetëm për pabarazinë ekonomike, por edhe për padrejtësitë dhe mungesën e dinjitetit. Miliona njerëz në të gjithë botën arabe dolën në rrugë dhe përmbysën diktatorët, duke refuzuar të pranojnë idenë se e ardhmja e tyre do të ishte si e kaluara e tyre. Pabarazia dhe padrejtësia nuk do të zhduken, por në vitin 2011 u bë akoma më e vështirë mbrojtja e tyre.
E dyta: respekti për politikanët, ekspertët dhe të pasurit. Ky ishte një vit i keq për ata që morën pushtetin nga votuesit, për të diturit dhe për paranë. Këtë vit mësuam se shumë nga drejtuesit tanë politikë nuk e kanë as fuqinë ose aftësinë për të marrë vendime themelore, mësuam se secili ekonomist ka një shpjegim dhe zgjidhje të ndryshme në lidhje me krizën dhe mësuam gjithashtu se shumë nga të pasurit (individë apo kompani) që kontribuuan në krijimin e situatës së tanishme po përjetojnë shkurtime të mëdha si pasojë e veprimeve të tyre. Në vitin 2011, autoriteti i qeverive, ekspertët dhe liderët e biznesit u goditën rëndë. Ne nuk kemi më besim tek ta. Dhe çdo autoritet varet nga legjitimitet dhe besueshmëria.
E treta: e pasuksesshme qe edhe ideja se papajtueshmëria e opozitës është një politikë e mirë. Paaftësia e republikanëve dhe demokratëve në Shtetet e Bashkuara për të rënë dakord mbi çështjet jetike të vendit është ndoshta shembulli më famëkeq i këtij vitit që po lëmë pas. Po ashtu edhe kriza europiane u përkeqësua si rezultat i paaftësisë së politikanëve për të vepruar. Konfrontimi paralizues midis qeverisë dhe opozitës në Itali, Spanjë dhe Belgjikë nuk kishte asgjë ndryshe nga ai që ne shohim në Shtetet e Bashkuara. Bllokimi politik mori një rrugë globale në 2011-ën. Nga Tajlanda në Japoni, nga Pakistani në Afrikën e Jugut polarizimi politik u shndërrua në paralizë qeveritare. Ideja se interesat kombëtare duhet të vendosen mbi ambiciet elektorale ka qenë jashtë “mode” për disa kohë. Në 2011 kjo tendencë u thellua dhe u përhap anembanë.
E katërta: planeti ndodhet përballë një emergjence klimaterike. Ideja se duhet të veprojmë tani dhe pa mëdyshje për të ngadalësuar ngrohjen globale nuk ka qenë ndër të parat në listë në axhendën e botës për këtë vit. Vëmendja ka qenë e zhvendosur tek kriza ekonomike, borxhi, papunësia, përpjekjet e dështuara në mënyrë të përsëritur për të zgjidhur krizën, tek vrasja e Bin Ladenit, Pranvera Arabe dhe shumë ngjarje të tjera. Në mënyrë të pashmangshme, megjithatë, “shëndeti” i botës po pëson një rënie të rrëmbyer: të dhënat më të fundit, të sakta dhe të padiskutueshme, tregojnë se temperatura mesatare në sipërfaqen e planetit është rritur me 1 º C në vetëm 50 vjet. Kjo rritje është më e shpejtë se ajo që kishte supozuar komuniteti shkencor. Por idesë se duhet të bëjmë menjëherë diçka në lidhje me këtë çështje, nuk i është kushtuar shumë vëmendje këtë vit.
E pesta: është më mirë të mos ketë armë bërthamore. Në 2011, tiranët e botës i kushtuan vëmendje fatit të Muamar Gedafit dhe mbijetesës së vazhdueshme të homologut të tij aziatik, të Koresë së Veriut, Kim Jong-Il. I pari mori një vendim kundër ndërtimit të një arsenali bërthamor ndërsa i dyti vazhdon të ndërtojë raketa bërthamore edhe pse popullsia e tij është duke vdekur nga uria. Nëse më parë ishte thjesht një dyshim, fundi i Gadafit vërtetoi se mbijetesa e një diktatori varet nga armët bërthamore për të mbrojtur veten kundër të huajve të cilët mund të ndërhyjnë dhe nga një ushtri e gatshme e tij për të luftuar kundër popullit të tij kur atyre t’u hipi tërbimi.
Sigurisht kjo është një listë jo e plotë. Ka edhe shumë ide të tjera që nuk rezultuan të suksesshme në 2011-ën. Ky nuk qe një vit i mirë për Al Qaedën si një ide, apo për Socializmin e shekullit XXI të Hugo Chavez-it. Nocioni se ndalimi absolut është qasja më e duhur ndaj drogave apo që “Tea Party” do të bëhet forca dominuese në politikën Amerikane e ka humbur “sharmin” si dhe mbështetësit e tij. Dhe ka më shumë akoma. Po cilat janë ato?
*Moises Naim është një publicist me famë botërore, ish-Drejtor i “Foreign Policy”
Marrë nga Moisesnaim.com