Kreu i LSI, Meta: Jemi të fokusuar te reforma zgjedhore, debati për presidentin është i parakohshëm

Lëvizja Socialiste për Integrim e cilëson të parakohshëm debatin për zgjedhjen e Presidentit, ndërsa thekson se vëmendja e klasës politike, është te reforma zgjedhore. Kreu i LSI, Ilir Meta u shpreh sot se “për zgjedhjen e kreut të shtetit shqiptar, LSI-ja do të shprehet në kohën e duhur”. Gjatë një konference për shtyp, Meta theksoi se është shumë herët për t’u shprehur në lidhje me presidentin e ardhshëm, ndërsa ka shtuar se vendimi i LSI-së do të jetë pas konsultimeve me Partinë Demokratike. “Ende jemi shumë herët dhe natyrisht është një president tjetër në mandatin e tij. LSI-ja do të mbajë qëndrimin e saj në momentin e duhur dhe patjetër do të konsultohet me PD-në në përputhje me marrëveshjen mes koalicionit”- tha Meta.
I pyetur në lidhje nëse LSI-ja do të vendosë kushte për sistemin zgjedhor, Meta theksoi se LSI-ja nuk do të vërë kushte por do të insistojë në ndryshimin e sistemit elektoral “Qëndrimi ynë për reformën zgjedhore është parimor. Modeli spanjoll i reformës nuk është i përshtatshëm” ka theksuar më tej Meta.
Meta ka përshëndetur edhe qytetarët shqiptarë me rastin e 1-vjetorit të hyrjes së fuqi të vendimit të BE-së për liberalizimin e vizave për Shqipërinë. “Sot është përvjetori i parë nga liberalizimi i vizave dhe ne jemi krenar për sjelljen e qytetarëve shqiptar të cilët respektuan të gjitha rregullat”- deklaroi ndër të tjera kreu i LSI-së, Ilir Meta.