Pesë vatra zjarri aktive në vend, flakët kërcënojnë pyjet masive të Parkut të Gërmenjit në Kolonjë

Në 24 orët e fundit në të gjithë vendin janë regjistruar 34 vatra zjarri. Ministria e Mbrojtjes raporton se: 27 prej tyre janë shuar, 5 janë ende aktive, ndërsa 2 zona po mbahen në monitorim.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 54 automjete zjarrfikëse dhe rreth 700 forca operacionale, të mbështetura nga 110 trupa të Forcave të Armatosura.
Pjesë e aksionit janë edhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore shqiptare dhe 1 helikopter nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Vatrat aktive janë në disa fshtatra të bashkive, Bulqizë, Fush-Arrës, Tiranë, Gramsh, Mirditë e Kolonjë.
Të dhënat nga terreni flasin së flakët e zjarrit kanë hyrë në parkun Natyrorë të Gërmenjit, në Kolonjë. Disa ditë me radhë më shumë se 40 forca të shërbimit zjarrfikës, të Parkut Kombëtar por edhe të ushtrisë kanë punuar për të mos lejuar zjarrin të depërtojë brenda parkut.
Por terreni i thyer malor si dhe prania e predhave të shumta brenda këtij parku e kanë bërë të pamundur shmangien e depërtimit të flakëve në këtë zonë të mbrojtur.
Burime zyrtare pranë prefekturës së Korçës thonë se nga kjo e diel do të shtohet numri i forcave dhe mjeteve për të hapur brezare brenda zonës së mbrojtur
Në disa zona përveç angazhimit të grupeve operacionale, reshjet e shiut në 24 orët e fundit kanë ndihmuar në shuarjen apo në reduktimin e rrezikut për përhapje të mëtejshme të flakëve.
Sipas të dhënave në zonat e bashkisë Bulqizë ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në kurorë me pyje të dendura.
Në njësinë administrative Blerim, bashkia Fushë Arrëz zjarri është zhvilluar me intensitet duke u përshkallëzuar në fshatrat Kulumri, Trun dhe Kunorë-Dardhë, por gjatë natës vatra e zjarrit u mbajt në monitorim.
Ndërkohë në Pezë bashkia Tiranë, vatra e zjarrit në njësinë Vaqarr mori përmasa serioze dhe për vënin e tij nën kontroll pati ndërhyrje nga ajri me helikopter.
Edhe në disa fshatra të bashksië Gramsh, puna ka vijuar për shuarjen e zjarrit, të cilat janë nën monitorim të vazhdueshëm dhe për momentin nuk paraqesin rrezik.
Ndërkohë sipas raportimeve, vatrat e shuara plotësisht janë Martanash, Mat, Fusha-Arrës, Petrel, Dajt, Rrogozhinë dhe Skrapar.