Pesëdhjetë vjet me majmunët, por xhungla ime është gjithmonë e njëjta
“Nëse mbyll sytë, kujtimet i kam të freskëta dhe më shfaqen të gjitha përpara syve. Arrij të kujtoj aq mirë sensin e irrealitetit që ndieja ndërsa ngjitesha në veri të liqenit të Tanganikës drejt Gombes, duke kaluar luginat plot pyje. ‘A thua do t’i gjej majmunët?’, pyesja veten. Sigurisht që po. Më kujtohet mirë David Greybeard, majmuni im i preferuar i të gjitha kohërave...”.
A mund të dashurohet njeriu pas një majmuni? Udhëtimi i gjatë në rrënjët e njeriut i etologes heretike filloi pikërisht para pesëdhjetë vjetësh.
Sot Jane është 76 vjeçe. “Jane Godall” është gjithashtu edhe emri i një instituti me njëzet qendra të tjera të shpërndara nëpër botë dhe së bashku me Gombe-n janë bërë një vend i shenjtë për kërkimet shkencore që kanë lidhje me majmunët. Në vitin 1950, kur antropologu Louis Leakey e caktoi të shkonte në Tanzani, ajo vajzë ende nuk ishte diplomuar. Imagjinoni se çfarë mund të ketë ndjerë kur prezantoi rezultatet e para të studimit të saj. Njeriu dhe majmuni kanë të njëjtën lloj diete të përzierë (mishngrënëse dhe vegjetale) dhe ndërtojnë vegla: dy karakteristika që pandehej se i kishin vetëm njerëzit. Tani duhet të ripërcaktojmë edhe një herë termat ‘vegël’ dhe ‘njeri’, ose në të kundërt duhet t’i pranojmë majmunët si humanë.
“Prej pak kohësh, një nga majmunët e mi të fundit na la: Fifi, që ishte një vjeç në vitin 1969, ngordhi në 2004-n, pavarësisht se shtatë fëmijët e tij dhe shtatë nipërit qarkullojnë ende në pyll. Edhe Goblin u sëmur dhe ngordhi atë vit: herën e parë që e pashë, në 1964-n, ishte ende në bark të nënës. Motra e tij më e vogël, Gremlin, dhe familja, vazhdojnë të jenë këtu. Edhe Sparrow, një femër shimpanze që e kishim njohur në vitet ‘60, bashkë me të bijën, Sandi, dy nipërit dhe tri stërnipërit, formojnë një familje tjetër që vazhdon të rritet dhe të lulëzojë. Për fat të keq nuk jam më në gjendje të njoh majmunët e rinj. Sot rikthehem në atë vend vetëm disa herë në vit”.
Jane i thërret në emër majmunët e saj dhe bisedon me ta sikur të ishin miq të ngushtë të familjes. Por jo të gjithë njerëzit arrijnë të shohin te kafshët sjellje që i përkasin njeriut. “David ka qenë majmuni i parë që ka marrë një banane nga dora ime, duke pranuar ofertën e miqësisë nga pjesëtari i një specieje tjetër. Ishte David që më hapi i pari dyert e botës së tij magjike: botën e majmunëve të egër të Gombes. Qetësia me të cilën më pranoi, i ndihmoi edhe të tjerët të bënin të njëjtën gjë. Në këtë mënyrë David tregoi se unë nuk isha për ta një rrezik aq i madh sa dukej”, tregon Goodall në një intervistë për “Wall Street Journal”.
“është një episod të cilin nuk do ta harroj kurrë, vazhdon më tej ajo. E kisha ndjekur David-in pas në pyllin e madh. Ai ndaloi një çast që të pushonte. Sapo iu ula pranë, i drejtova një arrë dhe i zgjata pëllëmbën e dorës. Ai e ktheu kokën në anën tjetër. Unë ia afrova edhe më shumë dorën: ai u kthye, mori arrën dhe me shumë delikatesë më shtrëngoi dorën, duke më bërë të ndihesha më e sigurt. E kishim kuptuar shumë mirë njëri-tjetrin, duke bashkuar dy botët tona me ato gjeste që ishin përdorur nga paraardhësit tanë të përbashkët para gjashtë milionë vjetësh”.
Në tetor, etologia do të publikojë librin e saj të parë, që do ta titullojë “Jane Goodall: 500 vjet në Gombe”. Përmes këtij libri Jane krahason të djeshme dhe të sotmen. “Gjatë viteve të para të jetës, njerëzit hanin të gjithë grup, rreth zjarrit, dhe punonin me dritën e fenerëve. Sot pjesa më e madhe e ndërtesave janë të pajisura me panele diellore dhe njerëzit hanë jashtë, nëpër restorante. Hartat e para për të ndjekur lëvizjet e majmunëve ishin realizuar nga fotot ajrore bardhezi: sot përdorim Gps dhe satelitët”, shton Jane. Gjithsesi, disa gjëra ende nuk kanë ndryshuar. “Sa herë që i ngjitem në majë atij pylli dhe ulem për të soditur atë panoramë, mund të provoj akoma atë që ndieja kur isha e re: entuziazmin e madh, sepse nuk e dija se çfarë do të shihja dhe çfarë do të zbuloja”.
Pas një historie të ngatërruar dashurie me antropologun Leakey, Jane u martua me Hugo Van Levick, fotografin e “National Geographic”, i cili asokohe kishte shkuar në Gombe për të ilustruar zbulimet e veta. Më pas Jane u martua me Derek Bryceson, drejtorin e parqeve të Tanzanisë, i cili mbrojti punën e saj nga turistët spekulues. Sot etologia shëtit botën për të mbrojtur zbulimet dhe faltoren e saj. “Ndonjëherë për të shpëtuar atë që do, të duhet të heqësh dorë prej saj. Unë vazhdoj të udhëtoj duke menduar gjithmonë për Gomben e duke shpresuar në gjetjen e mbështetjes së të tjerëve”, përfundon ajo.
#