E Diel, 1 Nëntor 2026

Peshëngritësi Ertjan Kofsha shpallet kampion Europe në shkëputje

TIRANË, 19 tetor /ATSH/ Peshëngritësi shqiptar Ertjan Kofsha është shpallur kampion Europe në stilin e shkëputjes. Federata Shqiptare e Peshëngritjes bën me dije se, Kofsha ka fituar medaljen e argjendtë në dygarësh, duke shënuar një tjetër rezultat të rëndësishëm për peshëngritjen shqiptare.

Në një postim në rrjetet sociale, FSHP vlerëson paraqitjen e sportistit shqiptar dhe suksesin e arritur në garat europiane.

“Një provë që ndezi pedanën, elektrizoi Durrësin dhe u vulos me festën e shqiponjës! Fuqi, zemër dhe krenari kuqezi! Ertjan Kofsha ngre pesha gjigante, ngre flamurin shqiptar dhe i jep Europianit një tjetër moment të paharrueshëm”, thuhet në postim.

Sipas FSHP-së, me medaljen e artë në shkëputje dhe atë të argjendtë në dygarësh, Kofsha konfirmon rezultatet e tij në arenën ndërkombëtare, duke përfaqësuar Shqipërinë në këtë disiplinë sportive.


/e.i/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›