E Diel, 1 Nëntor 2026

Peshkataret shpetohen nga anija turistike

Kanë shpëtuar për mrekulli nga ndërhyrja e ekuipazhit të një anijeje turistike, dy peshkatarët 25-vjeçarë që mbetën në det të hapur, të përfshirë nga moti i keq.

Megjithë operacionet e djeshme të kërkim-shpëtimit nga ajri dhe deti, Gëzim Bashllari dhe Fatmir Ismailaj nuk u arrit të gjenden. Fatmirësisht, mëngjesin e sotëm, anija turistike “Costa Voyager”, që po bën turin e Mesdheut, i ka pikasur dy të rinjtë në ujërat tona.

Ata janë diktuar në ujërat e Adriatikut, në drejtim të Shkumbinit nga kroçera që ishte drejtuar për në portin e Durrësit, ndalesën e saj të radhës. Sipas kapitenit të Portit të Durrësit, Hysni Aruçi, dy të rinjtë janë në gjendje të mirë shëndetësore. Të lodhur, por të shpëtuar, peshkatarët nga Vlora i kanë dhënë fund qëndrimit prej afro 30 orësh të vetëm dhe nën pushtetin e detit të egërsuar, duke prekur tokën.
 
Anija turistike që shpëtoi peshkatarët shqiptarë, me port regjistrimi Pireun, i përket kompanisë britaniko-amerikane Costa Crociere që zotëron linjën italiane të kroçerave me qendër në Xhenova të Italisë.

Janarin e kaluar kjo kompani u vu në qendër të vëmendjes ndërkombëtare për shkak të incidentit tragjik në brigjet e Italisë të një prej kroçerave të saj, Costa Concordia.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›