E Diel, 1 Nëntor 2026

Peshkim për rekord në Vlorë, peshkatari kap me shtizë gofin 27 kg pas 30 minutash përballje nën ujë

Një peshk gof me përmasa të rralla është kapur paraditen e sotme në ujërat e Vlorës nga peshkatari me shtizë Armando File.

Peshku, me një peshë prej rreth 27 kilogramësh, u kap në zonën e njohur si Spitaliera, pranë Radhimës, afër anijes italiane të mbytur. 50-vjeçari ishte duke u zhytur kur u përball me një tufë peshqish gof dhe arriti të godiste njërin prej tyre me shtizë.

Sipas peshkatarit, nxjerrja e peshkut në sipërfaqe nuk ishte aspak e lehtë. Për shkak të përmasave dhe forcës së tij, atij iu deshën më shumë se 30 minuta përpjekje për ta nxjerrë nga thellësia e detit.

Pas kapjes, peshku u transportua në qendrën e peshkimit në Radhimë, ku tërhoqi vëmendjen për madhësinë e pazakontë.

Kjo nuk është hera e parë që Armando File bëhet i njohur për kapje të tilla. Pak kohë më parë, ai tërhoqi vëmendjen në rrjetet sociale pasi publikoi pamjet e një tjetër gofi gjigant të kapur në zonën e Lungomares në Vlorë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›