Peshkimi/ Krifca: Ndryshimet ligjore, harmonizim me BE-në! Adresojmë rrezikimin e habitateve dhe specieve ujore

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca tha se, “ndryshimet e propozuara në marrëveshjen themeltare të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), synojnë që të përforcojë zhvillimin e qëndrueshëm të peshkimit, duke adresuar dy probleme kryesore: peshkimin e paligjshëm dhe rrezikun e habitateve dhe specieve ujore nga peshkimi pa kriter”.
Në fjalën e mbajtur në seancën plenare të Kuvendit, Krifca tha se Shqipëria, si vend anëtar i Organizatës Botërore të Tregtisë, ka përfituar ndër vite lehtësi, që nga reduktimi i tarifave të eksporteve, tek rritja e besueshmërisë së investitorëve të huaj, njehsimi i politikave ekonomike dhe tregtare me politikat e partnerëve ndërkombëtar, nxitja e shkëmbimit të mallrave dhe shërbimeve, etj.
Në fushën e peshkimit, tha Ministrja, rregullat e OBT ofrojnë një kornizë të qartë rregulluese, që, sipas saj, ka dhënë kontribut në rritjen eksponenciale të këtij sektori dhe veçanërisht të eksporteve.
“Fakt është që peshkimi është shndërruar në një prej sektorëve me rritjen më të shpejtë në ekonominë shqiptare, duke u rritur nga pak milionë eksporte, në 137,7 milionë euro në vitin 2022“, tha ministrja.
Duke u ndalur në projektligjin që u prezantua në Kuvend, Krifca tha se, amendimet e atij traktatit vijnë pas negociatash të gjata ndërkombëtare, të nxitura, siç theksoi ajo, nga të dhënat alarmante të OKB-së dhe Bankës Botërore, që raportojnë se 34% e stokut botëror të peshkut nëpër dete po ezaurohet nga peshkimi përtej kufijve të qëndrueshëm të riprodhimit biologjik
“Peshkimi përtej kapaciteteve të qëndrueshëm i shkakton ekonomisë botërore 83 miliardë euro dëme. Në këto kushte amendimet e prozuara u adoptuan unanimisht nga vendet e Bashkimit Europian, partnerët e tjerë të vendit tonë, si dhe vendet e rajonit”, tha Ministrja.
Krifca vlerësoi se, aprovimi i këtij projektligji është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe për të vijuar harmonizimin e mëtejshëm ligjor të kapitujve mbi bujqësinë dhe peshkimin, teksa e konsideroi një sinjal të fortë që jep vendi ynë në mbështetje të ligjshmërisë dhe bashkëpunimit në komunitetin ndërkombëtar.
“Aprovimi i këtij ligji, pikë së pari motivohet nga interesi ynë kombëtar dhe përfitimet konkrete që do të kemi në fushën e peshkimit“, tha ministrja.
Krifca bëri të ditur se, asnjë subvencion i dhënë aktualisht nga Shqipëria nuk është gjetur në shkelje, ndaj në këtë drejtim, projektligji nuk sjell asnjë kufizim apo ndryshim thelbësor në skemat tona të mbështetjes së peshkimit.
Sipas Krifcës, formalizimi i mëtejshëm i sektorit do të lejojë konsolidimin e industrisë së peshkimit, duke garantuar rritje të vazhdueshme të eksporteve dhe punësimit, teksa përmendi si objektiv arritjen e të paktën 200 milionë euro eksporte nga peshkimi brenda vitit 2030.
“Politika për mbrojtjenn e specieve dhe ujërave tona detare është në përputhje me politikat tona për mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm dhe aprovimi i ndryshimeve vjen me paketën për rritjen e asistencës teknike nga ana e OBT, që do të lejojë Shqipërinë të mbështetet në ekspertizën më të avancuar botërore, për nxitjen e mëtejshme të rritjes së sektorit të peshkimit, përpunimit dhe akuakulturës“, deklaroi ministrja.
Krifca tha se peshkimi është shndërruar në një prej sektorëve me rritjen më të shpejtë të ekonomisë shqiptare, duke theksuar se eksportet janë 7-8 fishuar dhe se punësimi është 10-fishuar.
“Kartvizita më e mirë e kësaj rritje është rezultati i arritur në fillim të qershorit, kur Shqipëria u shndërrua në vendin e parë në Mesdhe që përmbushi sasinë vjetore të kuotës së peshkimit të peshkut ton, me plot 264 tonë. Nuk ishte e largët dita kur Shqipëria thjesht shiste kuotat e saj në ankand, sepse nuk kishte kapacitet për të peshkuar sasinë që i takonte“, u shpreh ministrja.
Krifca shprehu gadishmërinë për mbështetjen e industrisë së peshkimit për rinovimin e flotës, instalimin e pajisjeve frigoriferike, ndryshimin e motorëve, mbështetje me litra naftë e tashmë e kemi përfshirë edhe në skemën kombëtare të trajnimit.
“Është fakt që ky sektor, vit pas viti përfiton një mbështetje gjithmonë më të madhe nga skemat e IPARD. Qëllimi ynë është që të vijojmë ta mbështesim edhe më shumë. Në këtë drejtim, aprovimi i këtij projektligji jo vetëm që nuk do të ketë asnjë pasojë frenuese, por përkundrazi, do t’i japë një hov të ri eksporteve dhe punësimit, në përputhje me standartet më të mira ndërkombëtare“, deklaroi ministrja.
/rtsh.al/