E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Petrelë/ Fshati Krijues, Veliaj: Investimi në kulturë, po aq i rëndësishëm sa infrastruktura

Petrelës, zonës piktoreske në periferi të Tiranës, i është shtuar një fshat i pazakontë. Fshati Krijues është projekti i ri, që synon t’i japë zonës një destinacion të ri, sidomos për fundjavën, duke transformuar disa kapanone ushtarake në hapësira krijuese dhe argëtimi.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e vizitoi këtë hapësirë të re së bashku me ministren e Kulturës, Elva Margariti. Ai tha se rigjallërimi i periferive të Tiranës u bë e mundur falë reformës territoriale, e cila i dha mundësinë bashkisë të investojë më shumë në ish komuna.

“Jam vërtet shumë krenar për 4-5 organizatat që janë bërë bashkë për të krijuar një destinacion si ky. Tirana është sot 1250 km2 – nga një qytet me vetëm 42 km2, ndodhi një bashkim madh me pjesën rurale dhe pyetja ka qenë: A ia vlejti? Nga ana infrastrukturore është shumë kollaj të përgjigjesh: Patjetër që ia vlejti! Shumë prej këtyre rrugëve që janë bërë në zonat rurale, me taksat e ish komunës së Krrabës, apo të Zall-Bastarit, Shëngjergjit, nuk do të ishin bërë kurrë. Do të duheshin 65-70 vjet, por bashkimi me Tiranën arriti të krijonte një lloj rishpërndarjeje. Tashmë kemi bërë një plan me Elvën se si do të lobojmë te Ministria e Mbrojtjes, që ky ‘pushtimi i butë’ që ndodhi sot me fëmijët, me art dhe kulturë, të kthehet në një pushtim edhe me letra, që ta kemi si një strukturë permanente këtë akupunkturë që është zhvilluar në Petrelë,”- tha Veliaj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›