Petroviq: S’ka arsye për listë të përbashkët

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Slobodan Petroviq, ka thënë se nuk sheh ndonjë arsye për ndonjë listë shtetërore dhe paraqitje të përbashkët të serbëve në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në Kosovë.
Ai ka theksuar se nuk ka ndonjë arsye për një listë të përbashkët dhe për një fshehje prapa unitetit kombëtar, nëse në zgjedhjet lokale nëpër komunat me shumicë serbe partitë serbe garojnë mes vete.
Sipas tij, në komunat me shumicë serbe, këta të fundit e kanë shumicën bindëse dhe jo të ngushtë. Prandaj, siç ka thënë Petroviq, serbët vetë mund t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre, pa ndonjë frikë se në proceset e zgjedhjeve, për shkak të shpërndarjes së votave, mund të mbesin pa përfaqësues të tyre.
Ai, siç transmeton RTK, gjithashtu, ka theksuar se opsionet e shumta e zgjerojnë mundësinë e zgjedhjes dhe se ky është rast dhe jo rrezik për bashkësinë serbe./Indeksonline/