Pezullohen tre punonjës policie në Kuçovë, nis hetim disiplinor pas videos në rrjetet sociale

TIRANË, 3 shtator/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka pezulluar nga detyra tre punonjës të Komisariatit të Policisë Kuçovë, pas publikimit në rrjetet sociale të një videoje ku shfaqet shoqërimi i një shtetasi.
Sipas Policisë së Shtetit, me urdhër të drejtorit të përgjithshëm, Drejtues Madhor Skënder Hita, janë pezulluar inspektorët K. M. dhe D. D., oficerë të Patrullës së Përgjithshme, si dhe inspektor A. M., ndihmësspecialist (SPZ).
“Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale, në DPPSH, për nisjen e hetimit disiplinor ndaj 3 punonjësve të pezulluar nga detyra, për shkeljet ‘Përdorimi i paligjshëm dhe i paarsyeshëm i forcës’ dhe ‘Kryerja e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të Policisë, institucionin apo shërbimin policor në tërësi’”, thuhet në reagimin e Policisë së Shtetit.
Policia sqaron gjithashtu se shoqërimi i shtetasit D. T., i cili shfaqet në video, nuk është kryer për shkak të punimeve të ndërtimit pa leje, por pas një kallëzimi për kanosje të bërë ndaj tij nga kunata e tij, V. T., më 20 korrik 2026.
“Në kuadër të veprimeve procedurale të kryera nga Komisariati i Policisë Kuçovë dhe pas konsultimit me Prokurorinë e Beratit, më datë 03.08.2026, shërbimet e Policisë kanë shkuar në fshatin Krekëz, për të shoqëruar shtetasin D. T., i cili nuk kishte pranuar të paraqitej vullnetarisht në Komisariat”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, materialet procedurale janë referuar në Prokurori për veprën penale “Kanosja”, parashikuar nga neni 84 i Kodit Penal.
Institucioni bën me dije se palët janë në konflikt dhe në proces gjyqësor për një pronë, ndërsa Komisariati i Policisë Kuçovë e ka trajtuar në mënyrë të vazhdueshme problematikën, me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të situatës.
“Çdo punonjës Policie që konstatohet se ka shkelur ligjin, rregullat e shërbimit apo ka cenuar besimin e qytetarëve me veprimet e tij, do të mbajë përgjegjësi sipas parashikimeve të ligjit dhe të Rregullores së Policisë së Shtetit”, thekson Policia e Shtetit.
/e.xh/r.e/