E Diel, 1 Nëntor 2026

Pezullohet gjyqtari Neritan Tabaku, nuk zbardhi vendimin për Ilir Xhakjan

Ilir Xhakja

Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në një mbledhje me dyer të mbyllura, ka vendosur që të pezullojë gjyqtarin e Durrësit, Neritan Tabaku, duke e akuzuar se qëllimisht nuk ka zbardhur vendimin për Ilir Xhakjen, që është nën akuzë për vrasjen e kryekomisar Adem Tahirajt.

Vendimi për pezullimin e tij duket se ka ngrënë shumë kohë, pasi shumë gjyqtarë në vend nuk zbardhin vendimet e tyre. Në këtë mënyrë do duheshin pezulluar edhe shumë gjyqtarë të tjerë.

Gjatë hetimeve për motivet e vrasjes së kryekomisarit, hetuesit ranë në gjurmët e precedentëve penalë të Ilir Xhakjas. Ai akuzohej për vrasje, kërcënime dhe trafik, vepra të nisura që nga viti 1994.

Ilir Xhakja është shpallur fillimisht fajtor nga Krimet e Rënda dhe është dënuar me 21 vjet burg për vrasjen e shtetasit Qerim Maloku. Ky vendim ishte lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit dhe është prishur në vitin 2009 nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me argumentimin se kjo akuzë që i atribuohet të pandehurit sipas ligjeve në fuqi nuk është në kompetencë të Krimeve të Rënda, por e Gjykatës së Rrethit.

Pasi çështja është rishqyrtuar në shkallën e parë në Durrës nga gjykatësi Neritan Tabaku, ai i ka pushuar akuzat e tjera duke lënë vetëm atë të armëmbajtjes pa leje dhe e ka dënuar me kohën e paraburgimit  duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm nga burgu. Zbardhja e këtij vendimi nuk u publikua asnjëherë dhe kjo zvarritje pengoi prokurorinë që të apelonte çështjen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›