Pezullohet lundrimi i mjeteve të vogla në Vlorë e Sarandë për shkak të motit të keq

Për shkak të kushteve të përkeqësuara hidro-meteorologjike gjatë datave 17-18 shkurt, Kapiteneria e Portit të Vlorës ka vendosur pezullimin e lundrimit për mjetet e vogla lundruese dhe mjetet e peshkimit brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës.
Kjo masë është e nevojshme për shkak të erës me drejtim Veri-Veriperëndim, me forcë 6–7 ballë (Bft), shpejtësi 15–20 m/s dhe lartësi dallgësh 1.50–2.50 metra.
Lundrimi do të pezullohet për 2 ditë, duke filluar nga ora 10:00 e datës 17.02.2026 deri në ora 06:00 të datës 18.02.2026.
Kapiteneria ka kërkuar bashkëpunimin e të gjitha subjekteve dhe institucioneve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë për sigurimin e mjeteve në port dhe rritjen e gatishmërisë së ekuipazheve.
Trageti i linjës Vlorë–Brindisi do të vijojë lundrimet normalisht, pasi mund të përballojë kushte më të forta detare. Përmirësimi i situatës për mjetet e vogla lundruese pritet pas orës 06:00 të datës 18.02.2026.
Në Sarandë, gjithashtu është ndaluar dalja në det e mjeteve lundruese, si dhe është anuluar lundrimi i trageteve të linjës Sarandë–Korfuz–Sarandë. Ky vendim vjen për shkak të erërave të forta dhe dallgëzimit mbi normat e sigurta për lundrim, që arrin deri në 6 Beaufort.
Për ditën e sotme, 17 shkurt, është ndaluar dhënia e lejeve dhe çdo dalje në det për mjetet turistike, peshkarexhat dhe skafet e vogla në gjirin dhe zonën bregdetare të Sarandës, Ksamilit dhe Borshit. Lundrimi i trageteve në linjën Sarandë–Korfuz nuk do të kryhet deri në një njoftim të dytë.