Pezullohet nga detyra Drejtori i Policisë Rrugore Altin Qato

TIRANË, 2 gusht/ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, sapo është njohur me një video të publikuar në rrjete sociale dhe në media, ka urdhëruar menjëherë Drejtorinë e Standardeve Profesionale në DPPSH, për pezullimin paraprak nga detyra të Drejtorit të Policisë Rrugore, Altin Qato.
Gjithashtu, ndaj tij ka filluar hetimi disiplinor për shkelje të rëndë disiplinore, të parashikuar nga neni 204, pika 2, germa “a”, e rregullores së Policisë së Shtetit, “Sjellja e rendë diskredituese”. Hetimi disiplinor do të kryhet në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.
Policia e Shtetit sqaron opinionin publik se qytetarët që shfaqen në video nuk ishin pjesë e protestës që po zhvillohej nga banorët e zonës në aksin rrugor Thumanë -Kashar, por udhëtonin me mjetin e tyre në drejtim të Tiranës, duke kryer manovra në rrugë dhe kundërshtuar e ofenduar punonjësit të Policisë Rrugore, të cilët i kanë këshilluar për të ulur shpejtësinë dhe për të qëndruar në radhë deri sa të normalizohej lëvizja.
Edhe pas këshillimit nga ana e punonjësve të Policisë Rrugore, këta shtetas kanë vijuar t’i bien pa pushim sistemit zanor të automjetit, duke shkaktuar shqetësim te përdoruesit e tjerë të rrugës dhe njëherazi irritim të tyre.
Shtetasit E. Q. 36 vjeç, dhe Gj.K, 36 vjeç janë shoqëruar në ambientet e Policisë dhe në përfundim të veprimeve janë proceduar penalisht për “Mosbindjes ndaj urdherit te punonjesit te policise se rendit publik”.
Policia e Shtetit mbetet e vendosur për të zbatuar ligjin dhe për të respektuar të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve, duke mos lejuar asnjë rast të cënimit të tyre pa u ndëshkuar ligjërisht.
Ndërkohë, Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe të përdoruesve të rrugës që të zbatojnë rregullat dhe udhëzimet e autoriteteve policore në rastet kur ka ngadalësim apo bllokim të lëvizjes së automjeteve për arsye të ndryshme.
Në lidhje me këtë ngjarje reagoi në emër të grupit parlamentar të PD, deputetja Dhurata Çupi, e cila theksoi se “dhuna ndaj qytetarit është e papranueshme. Bëhet edhe më skandaloze kur kryhet nga një zyrtar i lartë i Policisë së Shtetit. Kjo sjellje nuk ka asnjë lidhje me përgjegjësitë e Policisë së Shtetit, që ka si mision mbrojtjen e qytetarëve, sigurinë e jetës dhe pronës së tyre”.
“Shpreh indinjatën time të thellë ndaj kësaj sjellje antiligjore dhe kërkoj që personi përgjegjsë të marrë ndëshkimin e merituar. I bëj thirrje Ministrit të Brendshëm dhe Avokatit të Popullit të marrin masat sipas përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore të tyre. Dhunimi i qytetarëve nga policia është shkelje flagrante e të drejtave të njeriut dhe vepër penale e kyer në ushtrim të detyrës”, tha Çupi.
/k.s/a.f/