Pheniani kërcënon Seulin: Larg duart nga anijet koreano-veriore
Koreja e Veriut thotë se do të ndërmarrë veprime ushtarake kundër Koresë së Jugut nëse kjo e fundit merr pjesë në përpjekjet e kryesuara nga Shtetet e Bashkuara për interceptimin e anijeve që dyshohen se transportojnë armë të shkatërrimit në masë, ndërkohë që rriten tensionet për provat bërthamore që Pheniani zhvilloi në fillim të kësaj jave.
Në një deklaratë sot, Pheniani rikonfirmoi se do ta konsideronte vendimin e Seulit si akt lufte dhe nuk do t'i përmbahej më armëpushimit të vitit 1953 që i dha fund luftës tre vjeçare koreane.
Seuli njoftoi dje se do të merrte pjesë në Nismën e Sigurisë për Mospërhapjen e Armëve, e cila përfshin ndarjen e informacioneve të zbulimit dhe koordinimin e marinës për parandalimin e transportimit të armëve bërthamore. Njoftimi u bë një ditë pas provës bërthamore të Koresë së Veriut.
Ndërkohë, njoftimet e lajmeve nga Koreja e Jugut thonë se Koreja e Veriut ka rifilluar punën në reaktorin bërthamor të Jongbjonit. //ad//