Pi helm në spital, dyshohet për shkak të vdekjes së gruas
Shyqyri Rrapaj ishte shtruar në spital, pasi vuante nga tensioni i lartë dhe nervi shiatik
69-vjeçari është gjetur nga infermierja në gjendje kome, pasi kishte konsumuar pesticide
Teksa ishte i shtruar në spital për tension dhe nuk përballonte dhimbjen për humbjen e gruas, një 69-vjeçar ka shkuar në një farmaci bujqësore ka blerë helm dhe ka vrarë veten në krevatin e spitalit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Gjirokastër dhe sipas të dhënave, viktima Shyqyri Rrapaj është gjetur nga një infermiere në gjendje kome.
Menjëherë pas njoftimit nga autoritetet spitalore, policia ka nisur hetimin për zbardhjen e plotë të saj, ndërkohë që ka detajuar edhe kronologjinë e ngjarjes së rëndë. Sipas të dhënave, rreth orës 01.00 të mëngjesit të djeshëm, nga spitali i qytetit Tepelenë ka ardhur një telefonatë në sallën operative të komisariatit të këtij qyteti se një person, i cili ishte i shtruar prej katër ditësh në këtë spital me tension të lartë dhe shqetësime të tjera shëndetësore, ka konsumuar lëndë helmuese dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Për këtë arsye, ai është transportuar me urgjencë në drejtim të spitalit të Gjirokastrës për ndërhyrje më të specializuar. Shyqyri Rrapaj, lindur dhe banues në Luftinjë të Tepelenës banonte me djalin dhe nusen e djalit, pasi bashkëshortja e tij ka ndërruar jetë para tri vitesh. Më datën 30 tetor, ai ishte shtruar në Spitalin e Tepelenës, pasi vuante nga tensioni i lartë, nervi shiatik e probleme të tjera shëndetësore, por që gjatë ditës lëvizte nga spitali, duke dalë për kafe në qytetin e Tepelenës.
Duke u gdhirë dita e djeshme, rreth orës 01.00 të mëngjesit, kur infermierja e turnit ka shkuar në dhomën e tij, ka konstatuar se ai ishte në gjendje kome. Menjëherë, ajo ka lajmëruar doktorin, që ndiqte ecurinë e shëndetit të tij, i cili ka urdhëruar transportimin e të sëmurit menjëherë në drejtim të spitalit të Gjirokastrës për ndërhyrje më të specializuar mjekësore, pasi gjendja e tij paraqitej kritike. Edhe pas ndërhyrjes më të specializuar në Gjirokastër, Shyqyri Rrapaj nuk ka mundur dot të shpëtojë dhe dje paradite, rreth orës 09.00, ka ndërruar jetë.
Nga veprimet e kryera nga grupi hetimor rezultoi se Shyqyri Rrapaj ka pirë lëndë helmuese pesticide (fosforistike), një shishe, të cilën mendohet se e ka marrë më parë vetë në farmaci që tregtojnë lëndë kimike për bujqësinë. Sipas deklarimeve të familjarëve, ky person, edhe më parë ka shfaqur shenja depresioni që pas vdekjes së bashkëshortes dhe herë pas here ishte shprehur se do të vriste veten. Nga ana e policisë janë marrë kampionë gjaku të viktimës, që janë dërguar në laboratorin kriminalistik në Tiranë për të përcaktuar llojin e lëndës helmuese që ka konsumuar viktima dhe për të zbardhur plotësisht këtë ngjarje.
Red. Akt.
Pi helm në spital, dyshohet për shkak të vdekjes së gruas burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip
