Letërporosi nga Egjipti, verifikim pasurisë së ish-presidentit Mubarak në Shqipëri
Drejtësia egjiptiane u ka kërkuar autoriteteve shqiptare të zhvillojnë hetim pasuror për ish-presidentin egjiptian Hosni Mubarak, bashkëshorten e tij Suzan Saleh Sabet, dy djemtë e tyre, por edhe të afërmve, në kuadër të hetimeve të nisura në Kajro për dyshime korrupsioni dhe përvetësim pasurie.
Përpara se të fillojnë verifikimet nëse lista me 70 emra, të afërm, zyrtarë dhe bashkëpunëtorë të ish-presidentit Mubarak deri edhe ish-ministra, kanë pasuri apo llogari bankare në Shqipëri, njësia task-force i është drejtuar Gjykatës Penale me këtë kërkesë për ekzekutim letër-porosie. Vetëm pasi të marrë lejen nga gjykata, Prokuroria e Tiranës do të nisë kryerjen e veprimeve procedurale. Letër porosia, e cila mësohet të jetë dërguar muaj më parë edhe për shtete të tjera me të njëjtin objekt verifikimin pasuror, i është dorëzuar më parë Ministrisë shqiptare të Drejtësisë. Kjo e fundit ia ka përcjellë shkresën Prokurorisë së Përgjithshme, ndërsa organi qendror i akuzës ia ka dërguar njësisë task-force të kryeqytetit.
Pasuria e ish-presidentit egjiptian Hosni Mubarak vlerësohet në rreth 73 miliardë dollarë. Ka dyshime të forta se ish-presidenti i katërt i Egjiptit ka larguar nga vendi mes viteve 2000-2008 një shumë prej 57 miliardë dollarësh, të transferuara më pas në bankat zvicerane apo të investuara në pasuri të patundshme në SHBA dhe Britaninë e Madhe.
4 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)
Letërporosi nga Egjipti, verifikim pasurisë së ish-presidentit Mubarak në Shqipëri burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip