E Diel, 1 Nëntor 2026

Pianisti japonez tenton koncertin më të gjatë në Botë

TOKIO- Një pianist i famshëm japonez njoftoi sot se synon të thyejë rekordin e tij të koncertit më të gjatë në botë me muzikën e Shopenit, duke luajtur 212 pjesët për piano të kompozuara nga muzikanti në një koncert që do zgjasë 18 orë në Tokio.
Yukio Yokoyama mban aktualisht rekordin Guinness "për numrin më të madh të pjesëve të luajtura nga një artist solo në 24 orë", pasi interpretoi 166 kompozime të Frederik Shopenit në rend kronologjik, për 16 orë në maj 2010, me rastin e dyqindvjetorit të tij të lindjes.
Pianisti pohoi në një konferencë për shtyp se përparësia e tij nuk ishte vetëm të thyente rekordin e tij, por "të kuptojë më mirë Shopenin dhe ta bëjë atë të njihet më mirë nga shumë njerëz".
Ai njoftoi se do të luante 212 pjesët për piano solo të kompozitorit në Operan e Tokios më 3 maj duke filluar nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 02:00 të mëngjesit të ditës tjetër, me vetëm disa dhjetëra pushime të shkurtra.
Koncerti do të jetë i hapur për publikun dhe do të transmetohet nga një stacion radiofonik në Tokio.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›