Pianistja Statovci, koncert bamirësie

Ky koncert bamirësie mbahet me qëllim për të përmirësuar kujdesin shëndetësor për nënat dhe foshnjat kosovare.
Fitimet nga koncerti do të shfrytëzohen për zhvillim të programeve në sektorin e shëndetësisë, respektivisht me fondet e mbledhura do të realizohen projekte në blerjen e materialeve shpenzuese dhe pajisjeve mjekësore që kontribuojnë në zvogëlimin e vdekshmërisë së foshnjave, por edhe në rritjen e qasjes në shërbimet shëndetësore, ngritjen e cilësisë së këtyre shërbimeve si dhe edukimin shëndetësor të nënave.
Koncerti do të mbahet të martën me 22 nëntor në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, në Prishtinë, duke filluar nga ora 19.00.
Artistja Ardita Statovci është dalluar herët me talentin e saj, ku në moshën 14 vjeçare u paraqit në koncertin e saj të parë solistik, ndërsa në moshën 15 vjeçare u pranua në Akademinë e Arteve në Prishtinë. Në vitin 1997 ajo u paraqit në koncertin e saj të parë në Austri nën patronazhin e Shoqatës për Teatër Muzikor në Vjenë.
Për arritjet e saj të jashtëzakonshme ajo u shpërblye me bursë nga Qeveria Federale Austriake për shkencë dhe hulumtim (BMWF), për te vijuar studimet postdiplomike në Itali, në Akademinë Pianistike në Imola tek Franco Scala dhe Boris Petrushansky si dhe nga Ministria Austriake Federale Për Arsim, Art dhe Kulturë me “Bursë shtetërore” që është një bursë speciale për artistët e rinj të suksesshëm.