Picasso e Warhol për 70 milionë

Kryevepra e Picasso’s, në të cilën mjeshtri spanjoll e pikturoi dashnoren e tij të asokohshme, Marie Therese Walter, konsiderohet ndër veprat më të rëndësishme të tij. Parashikohet se, në ankandin e 5 nëntorit, që do të organizohet nga shtëpia Sotheby’s, vepra “Natyrë e Vdekur me Tulipanë” do të shitet mes 35 e 50 milionë dollarë.
E punuar nën ndikimin e surrealizmit, piktura paraqet pamjen e një feme të re me profil grek, në formë statuje. Vepra është krijuar ashtu që Picasso fillimisht e ka punuar statujën e Marie Therese, e pastaj atë e ka pikturuar si natyrë të vdekur.
Pjesë e të njëjtit ankand do të jetë edhe portreti i Marie Therese, “Femra në Dritare” (Femme a la fenetre), i punuar nga Picasso në vitin 1936, që vlerësohet 20 milionë dollarë.
Ndërkaq, piktura e Warhol, “Statuja e Lirisë, është krijuar në kohën kur pop-artisti eksperimentonte me teknikën 3D. Piktura e Warholl do të dalë në shitje një javë më vonë, në shtëpinë njujorkeze të ankandeve Christie’s, e cila nga shitja pret të përfitojë çmimin prej 35 milionë dollarësh.
Pëlhura, e pikturuar me tone të së kuqes dhe të së gjelbrës, përbëhet nga katër seri me nga gjashtë piktura, në të cilat paraqitet simboli i New Yorkut. Seritë kanë një efekt tredimensional nëse shikohen me syza 3D. Kjo është piktura e vetme e Warhol e serisë 3D që ndodhet në pronësi private.