Pipero: Deklarata e Kosovës për gruan time, fyese. Urdhri i Mjekut: Nuk ka shkelje
Ish drejtori i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit Halim Kosova, në lidhje me kurimin e bashkëshortes së tij. Sipas Piperos deklarata është shumë fyese, ndërsa nuk mund të kuptohet se përse ajo është bërë nga ministri.
Nuk ia vlen që të komentoj, por unë jam duke përgatitur një artikull të gjatë në lidhje me këtë çështje. Megjithatë, deklarata është shumë fyese dhe unë nuk arrij të kuptoj sesi mund të bëhet një deklaratë e tillë. Nuk e di se përse e ka bërë, por në mënyrën se si është thënë, mendoj se nuk është përdorur në sensin pozitiv. Por ajo që dua të them është se Halimi është mjek obstetër-gjinekolog dhe gratë tek ai do shkojnë të vizitohen, është shprehur Pipero për GSH.
Ndërkohë në reagimin ndaj deklaratës së ministrit të Shëndetësisë, Halim Kosova, presidenti i Urdhrit të Mjekut, Din Abazi shprehet se nuk ka cenim të Kodit Deontologjik, përsa kohë nuk janë treguar detaje të sëmundjes apo vizitës.
Shkelje të privatësisë së pacientit kemi në rastet kur flitet për intimitetet apo për biseda të realizuara gjatë vizitës mjekësore. Në qoftë se ka thënë vetëm se ajo ka qenë paciente e tij, nuk kemi të bëjmë me shkelje, ka nënvizuar Abazi./A.XH
