E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koha për një front opozitar

ARMAND SHKULLAKU

Dielli i nxehtë i kësaj vere, bashkë me prodhimet e natyrës, ka pjekur më shpejt nga sa pritej disa çështje që tashmë janë ekspozuar në tregun politik të Kosovës. Njëra prej tyre, për të cilën është diskutuar e debatuar me qindra herë, gjendet sot në kushtet më optimale për të marrë një drejtim. Një marrëveshje apo koalicion i mundshëm opozitar ka rrethanat më të mira, por ndoshta edhe mundësinë e fundit për tu shndërruar në një realitet politik. Koalicioni qeveritar, i brishtë prej fillimit, së fundi i ka shfaqur hapur problemet e tij. Martesa e Thaçit me Pacollin po vazhdon për inerci dhe fjalët për një krushqi me AAK dëshmojnë më shumë tentativën, sesa mundësinë për të gjetur një partner të ri. Kokëçarjet brenda PDK, ndonëse nuk ia cenojnë pozitat, i sjellin jo pak telashe Kryeministrit Thaçi në momente delikate të vendimmarrjes. Përpara sfidës për të hyrë në dialog politik me Serbinë dhe për të gjetur një zgjidhje për Veriun e vendit, është e kuptueshme që Kryeministri do të donte ta ndante sa më shumë përgjegjësinë për çdo vendim që do të merrej. Ideale do të ishte të siguronte edhe mbështetjen e opozitës, por pas devijimit nga marrëveshja politike e prillit 2011, për LDK nuk do të kishte asnjë kuptim të shkonte në një kompromis të ri. Maxhoranca nuk do të jetë në pozitë të vështirë vetëm për çështjen delikate të Veriut, por edhe për miratimin në Kuvend të ndryshimeve kushtetuese, Kodit të ri Elektoral apo dhe ligjeve të tjera që kërkojnë edhe votat e opozitës. Në këto rrethana, është momenti që opozita të shfrytëzojë dobësinë e maxhorancës për të vendosur kushtet e saj dhe, nga ana tjetër, të afrohet mes vetes për të pasur një qëndrim të përafruar, pse jo dhe unik, në raport me qeverinë. Për këtë duhet gjetur vullneti i duhur politik dhe roli kryesor i takon LDK dhe liderit të saj, Isa Mustafa. Për të mos e parë veten të keqpërdorur ashtu si sot nga mospërfillja e marrëveshjes që nënshkroi një vit e ca më parë, Mustafa duhet të gjejë mënyrën për të ngjizur një bosht opozitar, fillimisht për tiu kundërvënë qeverisë dhe në të ardhmen, pse jo, për të qeverisur së bashku. Sigurisht që kjo nuk është një ndërmarrje e lehtë duke ditur diferencat e konsiderueshme mes programeve të këtyre forcave opozitare, veçanërisht mes LDK dhe VV, por nëse ekziston vullneti politik, një marrëveshje e madhe opozitare mund të arrihet. Faktet kanë treguar se veçmas asnjë prej partive të tjera nuk ka arritur ta mposhtë PDK në zgjedhje dhe, më keq akoma, përçarjet mes tyre i kanë dhënë Thaçit mundësinë e artë të bëjë diversion sa herë ka dashur brenda kampit opozitar. Pamundësia e fitores ndaj PDK si dhe rezultatet dëshpëruese të opozitës në zgjedhjet e jashtëzakonshme në disa komuna, kanë krijuar një lloj klime zhgënjyese dhe çmobilizimi për tu përballur me qeverinë. Këtë gjendje mund ta përmbyste vetëm një lëvizje e madhe, një akt i ri politik siç mund të ishte platforma e përbashkët opozitare. Ajo do të gjallëronte vetë forcat politike, do të shtonte entuziazmin dhe besimin e qytetarëve për ndryshim dhe do ti motivonte ata të dilnin në zgjedhje. Fronti i ri opozitar do të ishte në kontrast të madh me një koalicion qeveritar që sa vjen e ngushtohet dhe që nga halli kërkon të peshkojë në ujërat e opozitës. Për të shkuar drejt këtij fronti, secila prej forcave politike opozitare duhet të bëjë lëshimet e saj. LDK duhet të reshtë së harxhuari energji e të ankohet për çështjen e Presidentes dhe të përqendrohet në zbatimin e pikës tjetër të marrëveshjes, shkurtimin në tre vjet të mandatit të qeverisë Thaçi. Kjo është një pikë që u intereson drejtpërdrejt edhe partive të tjera opozitare e për këtë Isa Mustafa, pa komplekse, mund të kërkojë mbështetjen e tyre për ti bërë presion qeverisë. LDK ka deklaruar se nuk do ti votojë ndryshimet kushtetuese dhe ligjin e ri zgjedhor nëse nuk zbatohet marrëveshja e prillit 2011, por ky kushtëzim do të ishte më i fortë nëse do ti bashkoheshin edhe VV e AAK. Për këtë duhet, në radhë të parë, duke lëshuar diçka nga vetja, që partitë opozitare të dalin me një propozim të përbashkët për ligjin e ri zgjedhor. Ky do të ishte një hap konkret dhe pozitiv i bashkëpunimit. Një hap i dytë mund të ishte gjithashtu një qëndrim i njësuar i partive opozitare për çështjen e Veriut dhe bisedimet me Serbinë, që pritet të rifillojnë në tetor. Këto çështje mund të shërbejnë sot si momente takimi dhe afrimi mes forcave politike opozitare dhe lehtësimi nesër në rrugën e një bashkëpunimi para ose paszgjedhor. Gjetja e pikave të përbashkëta, kontaktet e përditshme me faktorët opozitarë dhe hartimi i një strategjie para e pasgjedhore, janë misioni i ri që Isa Mustafa duhet të marrë përsipër. VV mbetet në pozita të forta opozitare, ndërsa AAK nuk ka arsye logjike që të marrë përsipër faturën e kësaj qeverie dhe ta konvertojë sakrificën e liderit të saj në disa poste ministrore. LDK i mbetet, pa arrogancë dhe protagonizëm, të gjejë dhe të harmonizojë interesat e përbashkëta për të krijuar frontin e ri opozitar. Vjeshta që po afron është ndoshta koha e fundit që opozita ka në dispozicion për të gjetur një emërues të përbashkët e për tiu imponuar qeverisë, e cila pritet të përballet me sfida tepër të vështira. Nëse nuk shfrytëzohet kjo mundësi, Thaçi do ketë përsëri të drejtën të zgjedhë partnerin e radhës.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›