E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pirateria e librave – Autorët shqiptarë pa të drejta, librat e tyre shpërndahen ilegalisht

Dukuria e përsëritur e piraterisë në botime mblodhi këtë të enjte në konferencë Shoqatën e Botuesve Shqiptarë, ku u denoncua veçanërisht rasti flagrant i shkeljes të të drejtave të autorit në Tetovë, ku me fondet e komunës janë blerë mijëra libra të autorëve shqiptarë, të shtypur pa leje, në një shtypshkronjë pirate.

Këta libra më pas janë shpërndarë në shkollat e mesme të qytetit nga vetë kryetari i komunës, duke u bërë pjesë e bibliotekave për përdorim afatgjatë nga nxënësit. Kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri, e cilësoi këtë rast si një shkelje të rëndë të të drejtave të autorit dhe një vepër penale që kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përkatëse.

Raste të ngjashme janë raportuar edhe në Kosovë, ku veprat e autorëve shqiptarë po qarkullojnë pa leje në format fizik.

“E kemi shumë të përhapur në Kosovë. Atje janë bërë edhe gjyqe për këtë çështje. Janë disa shtëpi botuese të vogla, por edhe të mëdha, që shesin sot e gjithë ditën nëpër librari, edhe nëpër Panairin e Librit të Prishtinës, shesin librat tanë të piratuar,” deklaroi z. Ymeri.

“Është skandaloze… Ajo që na ka mbledhur këtu është një sinjal i fortë, që duhet t’i themi ‘Ndal!’. Tani kanë avancuar aq shumë saqë vetë shteti, vetë kryetari i Komunës, blen një mall të vjedhur, që janë librat e të gjithë botuesve shqiptarë, 5.450 libra,” shtoi Bujar Hudhri, kryetar i shtëpisë botuese “Onufri”.

Ndërkohë në Shqipëri pirateria merr një tjetër formë – atë digjitale – ku përhapja pa të drejtë e librave nëpërmjet rrjeteve sociale, faqeve pirate apo aplikacioneve të paautorizuara është kthyer në një fenomen shqetësues, që dëmton drejtpërdrejt sektorin e botimeve dhe vetë autorët.

Gazetare: Katerina Kule

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›