Prania e ushtarëve serbë në kufi me Kosovën, Kurti: Ka gjasë të jetë reagim ndaj “Defender Europe 2025”

Në mbledhjen e qeverisë që drejton, kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti, u shpreh se rritja e pranisë dhe gatishmërisë së forcave të ushtrisë serbe në kufi me Kosovën, që u raportua pak ditë më parë edhe nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka gjasë të jetë një reagim ndaj fazës së dytë “Defender Europe 2025”, që po mbahet në Kosovë, por edhe në Shqipëri dhe gjashtë vende të tjera.
Kurti ndërkohë nuk përjashtoi mundësinë që lëvizja e Beogradit mund të jetë kërkuar nga Rusia.
“Rritja e gatishmërisë dhe pranisë në kufirin tonë e Forcave të Armatosura të Serbisë besojmë që është reaksion ndaj ‘Defender Europe 2025’, por ajo çfarë nuk e dimë ende është se a po e bën këtë vetë Serbia apo një gjë të tillë ia ka kërkuar Rusia,” tha ai.
Kryeministri në detyrë i Kosovës gjithashtu theksoi se se zgjedhja e vendit për mbajtjen e stërvitjes shumëkombëshe dëshmon aftësitë e ushtrisë dhe institucioneve të vendit për të organizuar dhe garantuar mbarëvajtjen e ndërmarrjeve kaq të ndërlikuara ushtarake.
“Aktualisht në tri zona gjeografike në kontinentin e Evropës është duke u realizuar ushtrimi më i madh që ushtria e SHBA-së organizon dhe realizon në kontinentin e Evropës, ‘Defender Europe 25’, me pjesëmarrje të 25 mijë trupave nga 29 vende të NATO-s. Republika e Kosovës ka nderin dhe kënaqësinë të jetë në mesin e 18 vendeve nikoqire dhe se Forca e Sigurisë së Kosovës po merr pjesë me përafërsisht 1.000 trupa në ushtrimet që po zhvillohen në Kosovë, Shqipëri, Kroaci dhe Maqedoni të Veriut.
Këtë radhë Republika e Kosovës është vend i përzgjedhur nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku është vendosur komanda e Divizionit 28 të këmbësorisë. Nga baza e FSK-së në Aeroportin e Gjakovës, kjo komandë taktike amerikane po udhëheq me të gjitha brigadat në regjionin e Evropës Juglindore. Institucionet tona dhe ushtria jonë po dëshmojnë që janë të afta për të mikpritur dhe për të organizuar në territorin e saj ushtrime komplekse të cilat kërkojnë planifikim, organizim dhe mbështetje të nivelit shumë të lartë,” tha ai.
Kjo është hera e tretë që në Kosovë mbahet stërvitja shumëkombëshe “Defender Europe”.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh.al/