Pirateria televizive, AMA 315 kontrolle ndaj Ofruesve të Shërbimit Mediatik Audioviziv

TIRANË, 24 janar/ATSH/ Pirateria televizive mbetet një shqetësim dhe betejë e përditshme e Autoritetit të Mediave Audiovizive.
Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi bëri të ditur sot, në një postim në rrjetet sociale, se “grupet e inspektimit të AMA-s e kanë pasur objekt kryesor të punës luftën kundër fenomenit të piraterisë televizive që kryhet nga subjekte të paautorizuar nga AMA për ofrimin e shërbimit audioviziv”.
“Gjatë vitit 2024 ekipet e inspektimit kanë kryer 315 kontrolle të aktivitetit të Ofruesve të Shërbimit Mediatik Audioviziv (OSHMA). Nga këto, 220 janë inspektime të kryera për pirateri dhe 95 për monitorim të frekuencave”, tha Krasniqi.
Krasniqi u shpreh se “çdo ankesë e ardhur në AMA për shkeljen e të drejtave të transmetimit është trajtuar me seriozitet dhe për çdo shkelje janë marrë masat e nevojshme ligjore”.
AMA vijon apelin ndaj të gjithë subjekteve audiovizivë që të respektojnë kontratat e lidhura me mbajtësit e të drejtave, si dhe të respektojnë zonat e ofrimit të shërbimit për të cilat gëzojnë autorizim prej saj.
/k.s/a.f/r.e/