E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Pirdeni: Çelja e negociatave nga plotësimi i reformave, në 3 vite përfitojmë 922 milionë euro nga fondet e BE-së

TIRANË, 17 tetor/ATSH-Maela Marini/ Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni e konsideroi çeljen e negociatave për grup-kapitullin e parë “Themeloret” një proces meritokratik.

E ftuar në një studio televizive, Pirdeni theksoi se avancimi i procesit të negociatave ka qenë një mision, për të cilin bashkë me grupin negociator janë angazhuar 1700 zyrtarë të administratës publike.

“Këto kapituj janë esenciale për shtetin e së drejtës dhe përbëjnë atë që quhet grup-kapitulli ‘Themeloret’ që hapet i pari dhe mbyllet i fundit. Monitorohet gjatë gjithë procesit të negociatave dhe kushtëzon dhe procesin e negociatave për 5 grupkapitujt e parë”, u shpreh Pirdeni.

Pirdeni theksoi se funksionimi i institucioneve demokratike, reforma në administratën publike dhe kriteri ekonomik janë kritere, nuk quhen kapituj sepse gjatë gjithë procesit të negociatave do të duhet të dëshmohet përparimi.

Sipas saj, “hapja e negociatave është një proces meritokratik, i cili nuk do të mund të ndodhte nëse shteti nuk ka arritur një nivel të kënaqshëm të plotësimit të reformave”.

Duke folur për përfitimin që do të kenë qytetarët, Pirdeni theksoi se “kriteri ekonomik është aftësia e tregut shqiptar për t’u përballur me tregun e BE-së”.

Pirdeni theksoi se “një nga instrumentet thelbësorë që ndihmon në këtë aspekt është Plani i Rritjes së BE-së”. Për 3-vjeçarin e ardhshëm parashikohet që Shqipëria të përfitojë nga fondet e BE-së 922 milionë euro, 1/3 në formën e grantit dhe 2/3 e tjera në formën e kredive të zbutura. Kjo të kushtëzuara nga zbatimi i reformave në fushën e konkurrueshmërisë”, tha ajo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›