Tabaku: Sfida kryesore e integrimit në BE mbetet tek shteti i së drejtës

TIRANE, 17 tetor/ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku u shpreh sot në një intervistë televizive se sfida kryesore në procesin e integrimit evropian të vendit mbetet tek shteti i së drejtës.
Sipas Tabakut, duhet ndryshuar qasja në marrëdhënien ndaj Bashkimit Evropian, ndërsa theksoi se legislacioni i Bashkimit Evropian, duhet të përkthehet në zbatim rigoroz të ligjit.
“Ne diskutojmë sot për kriteret politike sepse janë më të prekshme dhe janë pjesë e debatit politik të përditshëm, por e di kush janë çështjet më të vështira? Janë peshkimi, siguria ushqimore, bujqësia, e gjithë situata me cilësinë e produkteve dhe tregjeve, pra, janë gjërat konkrete. Unë mendoj që sfida kryesore është tek shteti i së drejtës, tek aftësia që do të kemi neve, që të gjithë këtë legjislacion të Bashkimit Evropian, ta përkthejmë në zbatim rigoroz të ligjit”, u shpreh Tabaku duke u ndalur edhe tek ajo që e cilësoi si përdorim të dy standardeve në zbatimin e ligjit në rastin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Tabaku tha se këto dy javët e fundit, e kanë treguar me fakte që PD e ka mbështetur procesin e integrimit, me çdo gjë që po kalon sot vendi, me çdo sfidë.
“Ka qenë një qëndrim zyrtar i PD, ne mbështesim procesin e intregrimit dhe kjo është e qartë. Sigurisht që nuk është gjë e lehtë sot për PD që kryetarin e ka në arrest shtëpie. Nuk është një situatë e lehtë. Nëse partitë e tjera e kanë në zyrë apo në terren. PD e ka në mungesë dhe në terren dhe në vendimmarrje. Për më tepër partitë e mëdhaja, dominohen nga të dy liderat të themi të vërtetën se në këtë realitet jetojmë”, tha ajo.
“Për PD është një mungesë shumë e madhe. Unë e kam thënë dhe kohë më përpara, nuk është lajm i mirë as për PD dhe as për Shqipërinë kjo që po i ndodh zotit Berisha, jo vetëm kryetar partie, po ish-president, ish-kryeministër dhe një figurë shumë e rëndësishme e këtij vendi”, tha deputetja demokrate.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku e vlerësoi pozitive votën e disaporës në vitin 2025, ndërsa theksoi se duhet reformë zgjedhore e plotë dhe gjithëpërfshirëse.
“Është hera e parë, që ndodh në 11 vite, që të mos ketë asnjë punë reale për rekomandimet e OSBE-ODIHR. Dy ndryshime që kanë ndodhur, kanë ndodhur jashtë tryezës së parlamentit. Në një situatë të tillë, kur ti ke një mungesë vullneti politik për rekomandimet e OSBE-ODIHR, kush mund të jetë kërkesa më normale e një opozite? Sigurisht, votimi i diasporës dhe unë jam një nga gjashtë deputetet që e ka çuar ligjin për votimin e diasporës, një vit më parë në parlament, për ta shtyrë procesin, dhe së dyti është kërkesa për qeverinë teknike”, theksoi ajo.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku e ka konsideruar një moment jo të mirë për asnjë në PD, dënimin e Ervin Salianjit.
Tabaku theksoi se vendimet e drejtësisë nuk i komenton, por pret që drejtësia t’i shkojë deri në fund.