E Diel, 1 Nëntor 2026

Pirdeni: Sistem kombëtar testimi, performanca do të përcaktojë ngritjen në karrierë në administratën publike

TIRANË, 9 tetor/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, mori pjesë sot në takimin e prezantimit të reformës “Shkalla e Meritës”, për reformimin e sistemit të vlerësimit dhe zhvillimit të karrierës në administratën publike.

Në fjalën e saj, Pirdeni theksoi nevojën për një mekanizëm që identifikon kontributin individual, vlerëson performancën dhe garanton që avancimi në karrierë të bazohet te merita.

Pirdeni theksoi se “një nga sfidat kryesore të administratës publike mbetet vlerësimi i drejtë i punës dhe identifikimi në kohë i potencialit të punonjësve”.

“Puna shumë e mirë shpeshherë nuk dallohet nga puna e zakonshme, nuk dallohet as nga puna e dobët. Vlerësimi nuk sjell gjithmonë pasoja, qoftë negative, qoftë pozitive, dhe potenciali nuk identifikohet shpeshherë në kohë ose shpërblehet me vonesë”, u shpreh Pirdeni.

Ajo iu referua gjithashtu rezultateve të Anketës Kombëtare të Shërbimit Publik, duke nënvizuar se një pjesë e punonjësve kanë shprehur shqetësime për mënyrën se si kryhet vlerësimi nga drejtuesit.

“Një pjesë e tyre kanë shprehur shqetësim thelbësor mbi mënyrën si vlerësimi kryhet nga lidershipi. Kjo na kërkon të shohim përtej rregullave dhe sistemit, dhe kërkon të ndërtojmë një sistem që dallon kontributin individual, i jep peshë performancës dhe e lidh qartë ngritjen në karrierë në shkallët e administratës me meritën”, deklaroi ministrja.

Sipas saj, reforma synon të krijojë një sistem që dallon kontributin individual, i jep peshën e duhur performancës dhe e lidh qartë ngritjen në karrierë me meritën.

“Reforma do të shtrihet në të gjithë ciklin e karrierës, nga hyrja në administratën publike deri në nivelet më të larta drejtuese. Ajo mbështetet në dy boshte plotësuese: një strukturor, që përcakton mënyrën e matjes së meritës, dhe një operacional e digjital, që synon ta bëjë sistemin e vlerësimit më objektiv dhe më transparent”, tha Pirdeni.

Në kuadër të boshtit të parë, Pirdeni bëri të ditur se brenda këtij muaji pritet të paraqitet në Këshillin e Ministrave propozimi për sistemin kombëtar të testimit, përmes të cilit kandidatët që synojnë të bëhen pjesë e administratës publike do të pajisen me një certifikatë testimi të vlefshme për katër vjet.

“Mbi bazën e kësaj certifikate, kandidatët do të mund të aplikojnë për pozicione të ndryshme, në përputhje me profilin e tyre akademik dhe ambiciet profesionale, ndërsa konkurrimi për vendin konkret të punës do të zhvillohet pranë institucionit që shpall vakancën. Ky mekanizëm do të krijojë edhe një rezervë kombëtare talentesh, duke i dhënë shtetit mundësinë të identifikojë dhe të tërheqë profesionistë të rinj, përfshirë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit”, nënvizoi Pirdeni.

Një tjetër element i reformës, shtoi ajo, lidhet me vlerësimin e performancës së punonjësve.

“Aktualisht, nëpunësit civilë i nënshtrohen vlerësimit çdo gjashtë muaj, por ndryshimi synon t’i japë këtij procesi më shumë peshë dhe objektivitet, përmes digjitalizimit të sistemit. Një vlerësim që nuk e dallon punën shumë të mirë nga puna e mirë, nga puna e dobët, në fakt e humbet tërësisht arsyen e ekzistencës së tij. Prandaj do t’i japim vlerësimit më shumë bazë objektive, duke kthyer të gjithë sistemin e vlerësimit të performancës në digjitale dhe kështu do të mundësohen identifikimet e vlerësimeve të fryra dhe të devijimeve, duke kërkuar që drejtuesit të jenë në gjendje jo vetëm të argumentojnë, por edhe të provojnë vlerësimin që u japin vartësve”, tha ajo.

Një risi tjetër, vijoi Pirdeni, është vlerësimi 360 gradë për drejtuesit e administratës publike, pilotimi i të cilit pritet të nisë brenda këtij viti.

“Procesi do të përfshijë rreth 300 drejtues dhe do të administrohet nga një strukturë e jashtme dhe e pavarur. Për herë të parë, vlerësimi i drejtuesve nuk do të mbështetet vetëm te mendimi i eprorëve, por do të përfshijë edhe vlerësimet e vartësve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve, me synimin për të matur cilësinë e drejtimit dhe jo thjesht popullaritetin e drejtuesit. Në kuadër të boshtit operacional, do të krijohet gjithashtu një katalog kombëtar i pozicioneve dhe kompetencave, që do të përcaktojë profilet profesionale dhe aftësitë e kërkuara për secilin pozicion. Ky instrument do të shërbejë për rekrutimin, zhvillimin e talenteve dhe identifikimin e nevojave të administratës për kapacitete të reja”, nënvizoi ministrja.

Pirdeni njoftoi edhe transformimin e portalit “Puna për Shqipërinë”, i cili do të shërbejë si regjistër kombëtar i talenteve.

“Përmes këtij portali qytetarët do të mund të krijojnë llogari personale, të regjistrojnë të dhënat e CV-së dhe interesat e tyre profesionale, si dhe të marrin informacion në kohë reale për vendet vakante që përputhen me profilin e tyre. Portali synon të krijojë një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi edhe me diasporën, duke u dhënë mundësi shqiptarëve jashtë vendit të kontribuojnë në administratën publike. Një tjetër instrument do të jetë sistemi kombëtar i provimeve digjitale, i cili do të ndërtohet mbi bazën e digjitalizimit të bankave të pyetjeve dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe partnerët ndërkombëtarë. Synimi është të shmangen ndërhyrjet dhe abuzimet në proceset e konkurrimit për pozicionet publike”, theksoi Pirdeni.

Sipas saj, të dhënat e gjeneruara nga këto sisteme do të analizohen përmes instrumentit “Meritë AI”, i cili do të ndihmojë në matjen e rezultateve dhe monitorimin e zbatimit të reformës.

Ministrja theksoi se “Shkalla e Meritës” vjen në vijim të masave të ndërmarra për përmirësimin e kushteve në administratën publike, përfshirë rritjen e pagave nga 26% deri në 63%, paketën e motivimit dhe bonusin e performancës, të miratuar në korrik.

Ajo nënvizoi se mangësitë e sistemit nuk duhet të shërbejnë si justifikim për mungesën e cilësisë në drejtim, duke theksuar se edhe drejtuesit duhet t’i nënshtrohen vlerësimit dhe llogaridhënies.

Sipas Pirdenit, ecuria, afatet, rezultatet dhe problematikat e reformës do të jenë të monitorueshme publikisht përmes platformës “Pasqyra e Shqipërisë”, në mënyrë që masat që funksionojnë të zgjerohen, ndërsa ato që nuk japin rezultatet e pritshme të korrigjohen.

Ministrja Pirdeni u bëri thirrje drejtuesve dhe punonjësve të administratës që ta trajtojnë reformën si një përgjegjësi të përbashkët dhe ta zbatojnë atë në praktikën e përditshme, me synimin që kontributi, profesionalizmi dhe integriteti të marrin vlerësimin e merituar në shërbimin publik.

/k.s/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›